Ndërkohë që Shqipëria kishte kaluar vitin e vështirë 1997, socialistët do të vinin në pushtet.

Historiani amerikan, Fred Abrahams, në librin e tij ‘Shqipëria e re’, bën një portret të Fatos Nanos, liderit historik të PS-së, fragmentet e së cilës janë publikuar nga "Panorama".

“Nga ana tjetër e bulevardit, Nanoja po shtrohej në zyrë…

Nanoja dukej ndryshe nga ç’kishte qenë përpara burgosjes së tij- më i shëndoshë dhe me mjekër. Këshilltarët e tij të afërt treguan se Nanoja kishte vuajtur në burg dhe doli prej andej një njeri i ndryshuar, me më pak kontroll të vetvetes. Megjithatë ai mbeti i mençur dhe dinak. Prapa hekurave, ai kishte qëndruar aktiv në parti, duke pasur furnizim të pandërprerë me lajme, cigare dhe pije”.

“I lindur në Tiranë në vitin 1952, Nanoja u rrit si bir i privilegjuar i një komunisti të respektuar, që drejtoi radiotelevizionin shtetëror për shumë vjet. Duke qenë brez i pasluftës, Nanoja kishte pikëpamje më të moderuara, madje kishte kënduar si djalë i ri në një grup roku dhe u bë i spikatur në krahun reformist të Partisë së Punës”.

“Ndryshe nga Berisha, Nanos nuk iu desh të mohonte kurrë të kaluarën e tij… Ai ishte më i hapur dhe pa komplekse për të kaluarën e tij. Ishte më pak dogmatik dhe më i aftë për t’u përshtatur. Megjithatë, krahas kësaj përshtatshmërie, lidhja me vlerat dhe normat ishte fare e dobët. Siç e tregoi koha, Nanoja do të braktiste edhe Shqipërinë për të shpëtuar lëkurën e tij”.

“Berisha jetonte me familjen në apartamentin e tij në Tiranë dhe nuk shijonte kënaqësitë e jetës. Nano ishte finok dhe i paparashikueshëm. Bënte ujdira dhe përçapje. I pëlqenin femrat dhe xhini. Berisha mund të korruptohej nga pushteti dhe Nanoja nga paratë, apo siç e tha një mik, ‘njëri me tru, tjetri me zorrë’. Katundari mendjehollë përballë kopilit të qytetit. Njeriu patriarkal dhe i kontrolluar kundrejt njeriut ku rafsha mos u vrafsha, të muhabetit dhe të shthurur”.