Kompania Natyral & ATC është e specializuar në mbledhjen, seleksionimin, pastrimin, përpunimin dhe import-eksportin e bimëve aromatiko-mjekësore, si dhe të derivateve të tyre.

E themeluar në vitin 1992 me vendndodhje në Shkozet, kjo kompani ofron një gamë të gjërë produktesh bimësh mjekësore të njohura për efektet në shëndet, shumëllojshmëri çajrash bio dhe kurues, erëza të ndryshme për gatime të shijshme dhe të shëndetshme si dhe vajra esenciale për aromë unike.

Ndër vite kompania është vlerësuar me një sërë certifikatash dhe produket e saj përveçse janë prezente në tregun vendas në të gjitha rrjetet e supermarketeve dhe atij kosovar, eksportohen edhe jashtë kufijve në shtete të ndryshme, si Amerikë, Angli, Japoni, Emiratet e Bashkuara Arabe, Hungari, Bullgari, Kinë Itali etj..

Në një intervistë për “DurrësLajm”, menaxheri i Marketingut dhe Logjistikës së Natyral & ATC, Laert Tahiri tregon se bimët aromatike-mjekësore mblidhen në malet e Shqipërisë, ndërsa erëzat ekzotike që nuk mund të kultivohen në vendin tonë, krijojnë nevojën që kompania t’i drejtohet tregut të jashtëm për t’i siguruar ato.

Sherbela produkti lider dhe eksporti i parë i kësaj kompanie drejt tregjeve ndërkombëtare prej në vitin kur u themelua, sipas Tahirit është kryesuese e listës së bimëve shqiptare që kapërcen kufijtë tonë.

“Sherebela është një nga produktet lider në bimët shqiptare dhe një nga produket që eksportohet më shumë në tregjet ndërkombëtare nga Shqipëria. Është bima numër një që eksportohet nga prodhuesit e bimëve aromatiko-mjekësore në vend.”, thotë Tahiri.

Boronica mbetet e preferuara e shqiptarëve, krahas çajit të malit dhe trëndafilit të egër, bimë të cilat ndikojnë edhe në forcimin e imunitetit dhe gjatë pandemisë pikërisht ky ka qenë qëllimi i të gjithëve.

Një tjetër produkt që kompania Natyral & ATC ofron për klientët është shurupi i shegës së egër, të mbledhura në zonën e Zadrimës në Lezhë, i njohur si një nga antioksidantët më të mirë natyrorë.

“Është një produkt që ne e kemi marrë me pasion”, shprehet Tahiri.

“Ne kujdesemi për shëndetin tuaj!” është motoja që Natyral & ATC ka, ndaj edhe misioni i kësaj kompanie është të ofrojë produkte cilësore si dhe të jetë marka më e besueshme për konsumatorët.

Me vizionin për t’u bërë lider i ofrimit të produkteve bio, çajrave dhe erëzave në tregun shqiptar dhe atë rajonal, kompania është gjithmonë në kërkim të tregjeve të eksportit, për t’u dhënë më shumë zë produkteve shqiptare.

“Mënyra e zgjerimit është vetëm nëpërmjet eksportit.”, përfundon Tahiri.

Gertjana Daçi

VIDEO: