Gjiganti i kozmetikës “Estée Lauder” njoftoi të dielën se presidenti i nderit, Leonard Lauder, u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare. Lauder iu bashkua kompanisë në vitin 1958 dhe luajti një rol kyç në transformimin e biznesit. Fillimisht u prodhuan disa produkte që u shitën nën një markë dhe më pas, vit pas viti, kjo kompani u shndërrua në lider botëror në tregun kozmetik me shumëllojshmëri markash.

Ai ishte djali i themeluesve të kompanisë Estée Lauder dhe Joseph Lauder. Lauder mbajti një sërë postesh në kompani gjatë gjashtë dekadave dhe më pas drejtoi lançimin e shumë markave, duke përfshirë Aramis, Clinique dhe Lab Series, tha kompania.

Estée Lauder Companies Inc është një kompani shumëkombëshe kozmetike, prodhuese dhe tregtuese e produkteve të grimit, kujdesit për lëkurën, parfumeve dhe kujdesit për flokët, me seli në Midtown Manhattan, New York City. Ajo renditet si kompania e dytë më e madhe e kozmetikës në botë pas L’Oréal.