Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj biznesmenit Ergys Agasi është ndërprerë për herë të dytë, pas më shumë se dy orësh diskutimesh.

Mësohet se, seanca e cila rinsi në orën 12:00, u pezullua ndërsa avokati mbrojtës Maks Haxhia po vijonte paraqitjen e argumenteve të tij ligjore. Zgjatja e fjalës së mbrojtjes u bë shkak për ndërprerjen e procesit, i cili pritet të vijojë në një moment të dytë gjatë ditës.

Më herët, gjykata kishte miratuar një tjetër ndërprerje me kërkesë të mbrojtjes, pasi avokati Haxhia kërkoi kohë shtesë për t’u njohur me aktet e dosjes hetimore dhe vendimin e caktimit të masës, me pretendimin se nuk i kishte pasur më parë në dispozicion.

Ergys Agasi doli sot para togave të zeza për verifikimin e masës “arrest në burg”, e cila ndaj tij ishte caktuar në mungesë. Biznesmeni ndodhej në kërkim që prej muajit dhjetor 2025 dhe u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës. Në momentin e ndalimit, ai ndodhej në automjet me ish-punonjësin e Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, i cili po ashtu ra në pranga.

Pas përfundimit të argumenteve të mbrojtjes, trupi gjykues pritet të tërhiqet për të marrë vendimin nëse do të lërë në fuqi masën e arrestit me burg apo do ta ndryshojë atë.