Një i paraburgosur ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të 28 qershorit në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Shkodër, pas një përkeqësimi të papritur të gjendjes së tij shëndetësore.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i paraburgosuri me inicialet Ç. J., i lindur më 10 nëntor 1964, ishte i akomoduar në të njëjtën dhomë me të birin, të burgosurin me inicialet D. J., kur shfaqi probleme të rënda shëndetësore.

Menjëherë pas sinjalizimit, personeli mjekësor i institucionit i dha ndihmën e parë dhe, për shkak të rëndimit të gjendjes, vendosi transportimin e tij me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut.

Sipas autoriteteve, gjatë transportit dhe pas mbërritjes në urgjencën e spitalit, stafi mjekësor kreu të gjitha procedurat e reanimimit kardiorespirator, por pavarësisht përpjekjeve, mjekët konstatuan ndarjen e tij nga jeta.

Në përputhje me procedurat ligjore, organet kompetente janë njoftuar menjëherë dhe kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shprehu ngushëllimet për familjen e të ndjerit dhe deklaroi se do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit.