Ndërron jetë në moshën 68-vjeçare kapiteni i njohur në qytetin e Durrësit, Ylli Bardhaj.
Pas një beteje me sëmundjen e SLA-së (Skleroza Laterale Amiotrofike), familjarët e tij njofotjnë sot me dhimbje e hidhërim të madh, ndarjen nga jeta të të shtrenjtit të tyre.
Emri i z.Bardhaj është tepër i njohur në radhët e marinarëve të Durrësit, e jo vetëm. Ai njihej gjithashtu dhe si një mjek popullor, që me kurat e tij, kanë gjetur shpëtim me qindra persona.
Kush ishte Ylli Bardhaj
Ylli Bardhaj lindi në Durrës më 15 shtator të vitit 1948. Ka ndjekur shkollën e Marinës në Vlorë dhe fill mbas mbarimit të shkollës, filloi punë në Flotën Detare në anijen “Dajti”, si oficer i parë. Më pas fitoi gradën si Kapiten de facto. Gradën Kapiten de jure nuk mundi ta merrte, pasi nuk ia jepte kush sepse nuk kishte tesera të Partisë Komuniste.
Ka punuar në Hekurudhën Shqiptare, ku ka hartuar plan-ngarkesën e parë në historinë e Shqipërisë për trenat e mallrave që lidhnin vendin tonë me shtetet e huaja. Arriti të hartojë plan-ngarkesën e parë sipas modelit europian në kohën e vështirë para ardhjes së Demokracisë.
Me ndryshimin e regjimit, pasi u prish flota, Bardhaj hapi agjencinë e parë detare “Italmar”.
Një ndër pasionet e tij të hershme ka qenë dhe mjekësia, e për këtë njihet gjithashtu dhe si mjek popullor, mbi të gjitha për ilaçin e hepatitit. Me kurat e tij popullore, Bardhaj ka shëruar me qindra persona brenda dhe jashtë vendit.





