Bota e sportit është në zi pasi ka ndërruar jetë Aleks Zanardi. Ish-piloti italian i Formula 1 vdiq në moshën 59-vjeçare. Në Itali, Zanardi mbahet mend si një shembull motivimi. I lindur në Bolonja, ia doli që në vitin 1991 të garonte në Formula 1. Ish-piloti kujtohet për garat e tij me Kart. Më 15 shtator të vitit 2001 ishte dita tragjike, kur humbi kontrollin e makinës. Aksidenti i rëndë bëri që të humbiste dy këmbët, ndërsa dhe pse në gjendje të rëndë ia doli të mbijetonte.
Ishte si një mrekulli për Zanardin asokohe. Ky i fundit nuk u dorëzua, por vazhdoi të qëndronte pranë botës së sportit. Jeta e përplasi me një tjetër ngjarje të rëndë, pasi më 19 qershor 2020 në një event me atletë paralimpikë çiklistë, Zanardi humbi kontrollin dhe u përplas duke pësuar dëmtime të rënda. Rreth 6 vite më vonë mbylli sytë përgjithmonë.
“Me hidhërim të thellë familja njofton ndarjen nga jeta të Alesandro Zanardit, e cila ndodhi papritur mbrëmjen e djeshme, 1 maj. Aleks ndërroi jetë në paqe, i rrethuar nga dashuria e familjes së tij. Familja falenderon sinqerisht të gjithë ata që kanë treguar mbështetje në këto orë dhe kërkon respekt për pikëllimin dhe privatësinë e tyre në këtë kohë zie”, ishte informacioni i shpërndarë nga familja e tij.





