Përveç muzikës dhe modës, një tjetër pasion i madh i Lewis Hamilton janë kartat dhe figurinat koleksionuese. Piloti i Ferrarit ka hapur në Frankfurt “Card Culture by Lewis Hamilton”, dyqanin e tij të parë të dedikuar këtij tregu. Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 nuk synon të ndalet vetëm në Gjermani.

Projekti parashikon një zgjerim ndërkombëtar, me hapjen e dyqaneve në vende të ndryshme të botës, veçanërisht në Azi, Evropë dhe Lindjen e Mesme. Megjithatë, pika e Frankfurtit nuk do të jetë thjesht një dyqan.

Ideja e Hamilton është të krijojë një hapësirë ku koleksionistët të mund të takohen, të shkëmbejnë eksperienca dhe të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme, përfshirë evente dhe programe edukative kushtuar kartave koleksionuese.

Sipas mediave të huaja, Hamilton ka qenë i apasionuar pas mbledhjes së “figurinave” që në fëmijëri. Pikërisht ky pasion e shtyu ta shndërronte një hobi të hershëm në një sipërmarrje biznesi. Projekti “Card Culture” është zhvilluar në bashkëpunim me Dave & Adam’s Card World, një nga kompanitë më të mëdha ndërkombëtare në tregun e kartave koleksionuese.

Kjo nuk është hera e parë që britaniku investon jashtë pistës. Gjatë viteve të fundit, Sir Lewis Hamilton ka zgjeruar aktivitetet e tij në fusha të ndryshme si moda, argëtimi, gastronomia dhe projektet e qëndrueshmërisë, duke ndërtuar një portofol biznesesh përtej karrierës së tij në Formula 1.