Katër herë kampioni i botës në Formula 1, Alen Prost, ka përjetuar momente tmerri gjatë kësaj jave pasi është vërë viktimë e një grabitje në vilën e tij në Nion, pranë liqenit të Gjenevës në Zvicër.
Këtë të martë, një grup hajdutësh të armatosur kanë hyrë në shtëpinë e tij rreth orës 08:30 të mëngjesit dhe kanë sulmuar menjëherë ish-pilotin e famshëm të Formula 1 duke e goditur dhe duke i shkaktuar një traumë në kokë.
Më pas, duke kërcënuar të birin, kanë bindur këtë të fundit të hapë kasafortën që kishin në shtëpi, duke marrë nga aty para dhe sende me vlerë. Duhet kujtuar se Prost është një nga imazhet e markës së famshme të orëve luksoze “Richard Mille” dhe kishte disa të tilla në banesë.
Mediat zvicerane bëjnë të ditur se policia ka rrethuar zonën por pa arritur të kapë hajdutët që mendohet se janë larguar në drejtim të Francës. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë, teksa familja Prost nuk ka lëshuar deklarata publike. Ajo që dihet është se Prost, pasi ka marrë mjekim në spitalin e kantonit zviceran, ka vendosur të largohet drejt Dubait, ku kalon pjesën më të madhe të vitit.





