Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Spostim i linjave 220 kV Koman – Tirana 2, linja 110 kV Laç 2 – Tiranë dhe linja 220 kV Fier – Rrashbull, si rrjedhojë e ndërtimit të segmentit të rrugës Thumanë – Kashar”.
Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 807 069.15 lekësh.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë – Vorë, Drejtoria Vendore Krujë dhe Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nisin procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë të pasurive që shpronësuara, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë – Vorë, Drejtoria Vendore Krujë dhe Drejtoria Vendore Fier, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.