Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka sulmuar ideologjinë MAGA të lidhur me presidentin amerikan Donald Trump.

Në një deklaratë të dhënë për gazetën spanjolle El País, Kos tha se BE po përballet jo vetëm me “autokratë” si Rusia, por edhe me tensione që vijnë nga Perëndimi, konkretisht nga ideologjia MAGA (“Make America Great Again”),

Kos e akuzoi lëvizjen se përpiqet të bindë evropianët se qytetërimi, ekonomia dhe demokracia evropiane janë në rënie. Kritikët e kanë interpretuar këtë deklaratë si një përpjekje të qëllimshme për të vendosur shenjën e barazisë mes një lëvizjeje politike konservatore në SHBA dhe kërcënimeve serioze gjeopolitike që vijnë nga Rusia.

Deklarata e plotë e Marta Kos:

“Kemi kundërshtarë që do të donin të na shihnin të dështojmë, që do të donin që kandidatët të dështonin, por objektivi kryesor jemi ne, Bashkimi Evropian. Po i referohem Rusisë dhe autokratëve të tjerë. Dhe, për herë të parë, jemi të ekspozuar ndaj një lufte hibride që sulmon jo vetëm kandidatët, por edhe vetë BE-në.

Po ashtu ndiejmë tensionet që vijnë nga Perëndimi, nga ideologjia MAGA (‘Make America Great Again’), e cila përpiqet të na bindë se qytetërimi evropian është në rënie, se ekonomia jonë është në rënie, se demokracia jonë është në rënie. Ky është një element i ri dhe, sërish, duhet të jemi të zgjuar në mënyrën se si reagojmë.”, u shpreh Kos.