Për herë të parë një forcë politike shqiptare do të protestojë para Parlamentit Europian në Strasburg.

Opozita do e zhvillojë protestën ditën e sotme në dyert e Parlamentit Europian ku mësohet se do jenë rreth 40 deputetë që do t’i bashkohen. Deputetët do të ndahen në dy grupe, njëri prej të cilëve mendohet se do hyjë brenda seancës parlamentare evropiane, ndërsa tjetri do të protestojë jashtë ambienteve të Parlamentit Evropian.

Grupi, i cili mendohet se do të hyjë brenda Parlamentit Evropian, do të kërkojë sensibilizim si dhe informim mbi situatën politike në të cilën ndodhet Shqipëria.

Kjo lëvizje e Partisë Demokratike vjen pas skenarëve të kaosit në Kuvend dhe protestës së dhunshme të 7 tetorit, aksione që u ndërmorën nga PD fill pas dënimit të Ervin Salianjit me 1 vit burg për kallëzim të rremë në dosjen ‘Babale’.

Deputetët e opozitës do të ngrenë në diskutim çështjen e Sali Berishës, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ashtu sikurse dhe arrestimin e ish-deputetit tashmë, Ervin Salianjit, të cilat demokratët i kanë cilësuar si “të kapur nga politika”. Deputetët opozitarë kërkojnë sensibilizim për kauzat e tyre, përjashtimet nga Kuvendi pas skenarëve të kaosit, kërkesa për qeveri teknike, apo edhe dënimi i Salianjit dhe masa e sigurisë dhënë për Sali Berishën, të cilat i konsiderojnë të padrejta. Deputetët që do jenë në protestë janë: Gazment Bardhi, Edmond Spaho, Lefter Gështenja, Helidon Bushati, Ramadan Likaj, Flamur Hoxha, Flamur Noka, Edi Paloka, Agron Gjekmarkaj, Jorida Tabaku, Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Asllan Dogjani, Isuf Çela, Dhurata Çupi, Elda Hoti, Qani Xhafa, Lindita Metaliaj, Xhelal Mziu, Kasem Mahmutaj, Kastriot Piroli, Ilda Dhori, Bledion Nallbati, ` Saimir Korreshi, Petrit Doda, ` Zheni Gjergji etj. Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, njoftoi se Grupi i PD-së nisi dje vizitën zyrtare në Parlamentin Europian.

Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, u takuan sot me eurodeputetët Sandro Gozi dhe Oihane Agirregoitia Martínez, përfaqësues të grupit parlamentar “Renew Europe”.

Lajmi është bërë i ditur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ndër të tjerat shkruan se “është e paimagjinueshme për çdo mik europian të Shqipërisë, që të perceptojnë se vendi ynë, edhe pse vend kandidat për në BE, ka ekzekutuar shtetin ligjor, ka asgjësuar balancën mes pushteteve, dhe ka eliminuar zgjedhjet e lira.” Nisëm sot takimet në Parlamentin Europian me z. Sandro Gozi, eurodeputet dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane, dhe znj. Oihane Agirregoitia Martínez, përfaqësues të grupit parlamentar “Renew Europe”.

Informimi i plotë mbi situatën në Shqipëri ishte në fokus të bisedës, me dy mbështetës të të ardhmes europiane të Shqipërisë. Është e paimagjinueshme për çdo mik europian të Shqipërisë, që të perceptojnë se vendi ynë, edhe pse vend kandidat për në BE, ka ekzekutuar shtetin ligjor, ka asgjësuar balancën mes pushteteve, dhe ka eliminuar zgjedhjet e lira.

Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ndërkohë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar, deri në pikën që organizatat kriminale diktojnë edhe vendet e kandidatëve për deputet në listën e PS, pushteti i kriminalizuar i Edi Ramës synon asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike të lidershipit të opozitës, duke na rikthyer 34 e më shumë vjet pas dhe duke vënë në pikëpyetje serioze demokracinë”, – shprehet Bardhi. Nga ana e tij lideri demokrat Sali Berisha bëri të qartë se me Ramën do të ketë vetëm betejë.

“Betejë, betejë dhe vetëm betejë. Diktaturës nuk i ulet koka. Meqë jam në këtë moment kam një thirrje për të gjithë intelektualët, kjo thirrje shkon për ata për një arsye, sepse pa diskutim ata janë dija e kombit. Por nuk duhet të harrojmë kurrë që konformizmi i tyre me të keqen me regjimin është armiku i tyre me i madh. Sot çdo qytetar në këtë beteje ka vetëm një armë dhe kjo armë është guximi i tij. Sot janë aktuale fjalët e Papa Gjon Palit 2 “ Mos ki frikë” me të cilët frymëzoi miliona luftëtar antikomunist të ngrihen kundër diktaturave. Aktet e djeshme Rama i ka më qëllim të dyfishtë, i pari për të shfryrë dufin me Ilir Metën dhe së dyti për të mbjellë frikë në të gjithë vendin, por kujtoj fjalët e Papa Gjon Palit- Mos keni frikë- dhe kjo është absolutisht rruga për t’u çliruar nga ky regjim bandit, jam i bindur që kjo diktaturë nuk ka të ardhme”, – tha Berisha./Panorama