Ndotja e bregdetit të Durrësit nga qindra tonë mbeturina plastike e kafshë të dekompozuara ka alarmuar qytetarët. Një pjesë e konsiderueshme e tyre kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për të parandaluar këtë ndotje masive që rrezikon seriozisht mbarëvajtjen e sezonit turistik. Shqetësimin e tyre, shumë bashkëqytetarë e kanë shprehur edhe në Forumin e Durrsakëve, në rrjetin social Facebook.

Gjergji Egnatia-Durrës: I gjithë bregu nga Iliria në Teuta, është përmbytur nga shishet plastike. Pamje e ndyrë. Të vjen ndot dhe turp njëkohësisht.

Eny Biduli:Skandaloze! Deti dhe bregdeti i tij janë pasuria më e pa-çmueshme që kemi dhe është i të gjithëve, prandaj si i tillë duhet të ruhet dhe mirëmbahet nga të gjithë. Është detyrimi ynë, për të ardhmen tonë dhe të brezave që po rrisim. Ndërgjegjet duhet të ngrihen lart dhe të kuptojnë që me qëndrimin e tyre nuk po bëjnë gjë tjetër përveç se po meritojnë atë që po përjetojnë. Për të filluar të ndërrosh Botën, duhet filluar nga vetja dhe kjo duhet të jetë Motivi i Ndërgjegjes Personale dhe Kolektive, sepse Pasuritë Ambientale, na janë dhënë si dhuratë nga Natyra. Ato nuk janë të pa shkatërrueshme, por mund të arrijë një ditë që të bëhen të pa rekuperueshme. Atë ditë nuk mund të shërbejë asnjë fond monetar për ta kthyer në gjendjen e mëparshme.

Aida Pema Himci:Kjo situatë në të cilën ndodhet bregdeti ynë është në ndërgjegjen e të gjithë qytetarëve. Por dhe organet kompetente nuk duhet të heshtin. Ç'bën Ministria e Turizmit? Pse po e shkatërrojnë Durrësin në të gjitha format? Pse nuk i jepet drejtim, zhvillim (jo kaos) dhe përparësi zonave turistike me rregulla të forta? Apo merret rroga dhe lum kush të rrojë. Si është shndërruar Durrësi? Dikur ishte pikë turizmi që e kishin zili të gjithë, tani ne durrsakët jemi të parët që i largohemi plazhit tonë. Pastaj gjithë ajo popullsi heterogjene, me nivel të ndryshëm kulturor, me dhe pa edukatë, diku duhet t’i lëshoje shishet, plehrat, mbetjet e ndryshme. Turp se dhe vetë durrsakët rrinë e bëjnë sehir, kanë zënë merimanga në karriget e pushtetit. “Një ditë të bukur vere tek Bar Restorant “Kështjella”, një grua i la fëmijët e saj që të luanin me një çadër të vjetër plazhi me (tela, hekur, lecka dhe shkop). Pasi luajtën e hodhën në ujë. Të nesërmen njëri nga fëmijët që gruaja kishte me vete u dëmtua nga po ajo çadër. Më erdhi keq për fëmijën, por kjo çadër për ironi të fatit. sa herë që unë e largoja nga zona, kthehej si objekt loje nga fëmijët që vëzhgoheshin nga prindërit e tyre. Ndoshta fjalët e mia nuk kanë peshë, por unë po i shkruaj. Dikur nxënësit e shkollave bënin “punë praktike” dhe shpërndaheshin nëpër qytet për t’u njohur me çdo lloj pune, dikush në prodhim (simbolikisht) dhe dikush në pastrimin e territorit të plazhit. Mësonin nga puna dhe shteti kishte një shërbim gratis në këtë rast. Vija bregdetare ishte e pastër, pa leshterik dhe pa plehra, ndërsa tani nxënësit nuk dinë ku kafe të përplasen më parë dhe çfarë pije të marrin. Të na rrojnë lokalet se rëra e plazhit është kthyer në pluhur betoni. Në Ministrinë e Turizmit kemi shumë bashkëqytetarë durrsakë që mund të na ndihmojnë në këtë kolaps të madh që po pëson turizmi ynë. Me rregulla shumë të forta si i ka gjithë bota mund të arrijnë të njohin qytetërimin edhe ata që nuk e dinë se ç'është.

Marie Lala:Më kujtohet një vit tek kthehesha në Durrës me traget, sapo hyra në port filluan të gjithë të hidhnin shishet bosh, letra. Im shoq më tha: “Po pse moj i hedhin në det, nuk do lahen nesër aty këta njerëz?” Nuk dija çfarë të thosha. Jemi ne, vetë njerëzit që e ndotim. Në të tilla raste më vjen në mend ajo e shkruajtura përdhe nëpër trotuaret gjatë bulevardit: MOS PËSHTYNI NË TOKË!

Andi Papa:Problemi i zonës së plazhit është shumë më i thellë nga ç’mund të mendohet. Është aq i thellë, sa unë mund të them se si plazh, ka marrë fund. Them ka marrë fund, sepse popullimi, në sajë të ndërtimeve, është aq i madh sa nuk ka “ËC” që të mbajë nevojat personale. Fatkeqësisht mund ta mbyll duke thënë: Plaga më dhemb dhe s’do më shërohet.

Dario Kodra: Bidonat plastikë, vetëm që të degradohen duan 4oo vjet. Shpresojmë të pastrohet, se përndryshe na takon t’i pastrojmë pas kësaj periudhe. Botë të bukur do t’u lemë pasardhësve tanë. Të papastër dhe me bidonë. Durrsakët e pastrojnë dhe mund ta mbajnë të pastër. Por edukata e pushuesve që vijnë është ''o''. Duhet tolerancë zero për kë bën pis dhe hedh mbeturina në tokë, qoftë sikur edhe një cigare. Në fakt ekzistojnë djegësa (bruciatori) italisht ose (boler) frëngjisht, që merren me djegie me kombustion (vajra) të materialeve me vështirësi oksidimi. Energjinë termike (zjarrin) e kthejnë në energji tensioni dhe gazrat në kombustione. Këto djegësa i ndërton ndërmarrja ku unë punoj. Nuk kanë kosto të larta. Në fakt shumë vende në botë po përdorin këtë metodë edhe për asgjësimin e plehrave antioxidantë dhe reston.

Indrit Nina:Ka ardhur koha që ne të sensibilizojmë dhe të kërkojmë zgjidhje për këto tema, të cilat janë dhe do të jenë të hapura në çdo kohë. Opinionet nuk duhet të mbeten në letër, veprimet konkrete kërkojnë iniciativa përkatëse duke kërkuar mbështetje në të gjitha nivelet.

Alma Keta Oshafi:Me datë 20 prill Drejtoria Arsimore e Durrësit në kuadër të Ditës së Tokës, do të organizojë një aksion për pastrimin e qytetit, me nxënësit e të gjitha shkollave, nga mosha 12 vjeç deri tek maturantët. Le ta fillojmë me optimizëm, ndonëse ka shumë hallka të tjera që duhet të organizohen, për një Qytet të Pastër. Për një Shqipëri të Pastër.

Andi Papa:Si ide, është e mrekullueshme. Uroj që dhe realizimi të jetë i tillë. Këtë ide unë e propozoj edhe për banorët e blloqeve të ndryshme të pallateve që t'a kryejnë, sepse nëse është i vazhdueshëm ky aksion për njerëzit dhe banorët përreth, mund të ndikojë në karakterin e tyre për ta mbajtur sa më pastër vendin ku ata jetojnë. E kam fjalën, sa të fillojë që t’u bëhet ves. Kush? "Pastërtia e territorit ku jetojnë"

Bukurije Bushati:Iniciativë e bukur. Shpresojmë se do të ndikojë sadopak në ndërgjegjësimin e banorëve të Durrësit, për të mbrojtur mjedisin. Ju uroj fillim të mbarë dhe qofshit si manushaqet që sjellin pranverën, për qytetin tonë!

Iva Cara:Gjatë gjithë kësaj jave autoriteti portual, ka dalë në aksion duke përfunduar me datë 13 me daljen e administratës në pastrimin e zonës së Ishmit.

Juli Hidri:Iniciativë e bukur. Duhet të bëhen dhe të tjera të këtij lloji. Dikur dhe ne në fëmijëri bënim aksione të tilla përpara sezonit të plazhit. Organizonin nxënësit e shkollave për pastrimin e zonës së bregdetit nga leshteriku. Ishte shembull pozitiv. Duhet të kontribuojnë të gjithë në mirëmbajtjen e qytetit dhe pse kjo nuk mund të jetë e mjaftueshme mendoj se është diçka simbolike për të ndërgjegjësuar njerëzit që të mendohen përpara se t’i hedhin mbeturinat rrugëve.