“Nuk doja ta qëlloja unë, po ajo desh më vrau dhe unë doja të mbrohesha”. Me duart që i dridheshin dhe me një zë që i çirrej nga frika dhe nga pasiguria, i moshuari që masakroi bashkëshorten e tij me sëpatë pak ditë më parë në Golem, ka dalë para gjykatës së Krimeve të Rënda dhe ka folur në lidhje me aktin makabër të vrasjes së Shazivares, ish-gruas së tij, me të cilën në fakt ishte i divorcuar por që jetonin bashkë, shkruan “Shekulli”.
Burri i cili është lënë në burg pa afat, në fakt nuk ka qenë nën efektet e alkoolit siç është pretenduar në fillim, por ai ka kryer krimin me një qetësi absolute, bën me dije prokuroria, teksa ka marrë sëpatën dhe e ka lënë në një enë me ujë, ndërsa më pas ka telefonuar të birin.
Krimi i rëndë është zbuluar në fakt nga një fqinj i çiftit, i cili ka mbërritur në shtëpinë e çiftit pasi ka dëgjuar zhurma të forta dhe zëra të lartë, ndërsa aty pas pak kohe ka mbërritur edhe policia. Prokuroria e Krimeve të Rënd ka zbardhur thuajse krejtësisht mekanizmin e ngjarjes së rëndë.
Prokuroria
“Ngjarja ka ndodhur në banesën e tyre në zonën e plazhit në Golem, Bashkia Kavajë. Shtetasi Veli Dervishi ka qenë duke debatuar për motive të dobëta me shtetasen Shazivare Merja (Dervishi). Dy shtetasit po debatonin në aneksin e jashtëm të shtëpisë dhe në këtë kohë aty nuk kishte njerëz të tjerë. Gjatë debatit, shtetasi Veli Dervishi ka goditur bashkëjetuesen e tij, shtetasen Shazivare Merja (Dervishi) tri herë me një sëpatë nga pas kokës duke i shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme. Më pas autori ka lënë sëpatën me të cilën kishte kryer krimin te një kovë uji nga pas shtëpisë dhe ka dalë te veranda e shtëpisë së tij. Në këtë kohë njëri nga komshinjtë, ka dëgjuar zhurmat dhe ka lajmëruar në Stacionin e Policisë, Golem.
Patrulla e Policisë ka ardhur te banesa e Veli Dervishit dhe ka marrë kontakt me këtë shtetas të cilin e ka pyetur nëse në këtë zonë ka pasur ndonjë konflikt. Shtetasi Veli Dervishi ka komunikuar në telefon me djalin e tij, Arturin, dhe i ka thënë që të shkonte urgjent në Golem. Arturi, i cili në atë kohë, ka qenë duke konsumuar një kafe me shokët e tij, është nisur menjëherë në drejtim të Golemit. Sapo ka ardhur Veliu (Dervishi) i ka treguar djalit të tij për çfarë kishte bërë dhe i kishte kërkuar që ta çonte te Stacioni i Policisë që të dorëzohej. Arturi nuk ka hyrë fare tek aneksi ku ndodhej viktima, por menjëherë ka çuar të atin e tij në Policinë e Golemit”.