17 shtator 2015 – Rikonstruksioni i pishinës publike “Taq Dafa” ka përfunduar thuajse tërësisht, por gjatë këtij sezoni sportiv në basenin e saj nuk do të zhvillohen gara kombëtare apo lokale. Mjedisi i hapur dhe rënia e pritshme e temperaturave e bëjnë të pamundur organizimin në kohë të një veprimtarie noti, ndërsa ende nuk janë instaluar edhe pedanat e hedhjes së notarëve në ujë.
Punimet për rikonstruksionin e pishinës nisën në fillim të muajit qershor me një financim prej 35 milionë lekësh nga Ministria e Zhvillimit Urban.
Mësohet se në janar të vitit të ardhshëm një financim i dytë do të mundësojë ngritjen e dhomave të notarëve, trajnerëve dhe gjyqtarëve, si dhe ndërtimin e rrethimit të pishinës. Po ashtu pritet edhe vendosja e ndenjëseve në shkallaret e përfunduara kohët e fundit.
Ndërkohë, sistemi i filtrimit, pastrimit dhe i qarkullimit të ujit të ëmbël, me të cilin u mbush pishina dy javë më parë funksionojnë normalisht dhe mundësojnë ruajtjen e parametrave standarde të ujit.
/portali DurresLajm/





