Kandidati republikan për president, Donald Trump dhe rivalja e tij demokrate, Kamala Harris akuzuan njëri-tjetrin për thellimin e mosmarrëveshjeve në një vend thellësisht të polarizuar, ndërsa fushata presidenciale hyri të mërkurën në javën e saj të fundit.

Ish-presidenti republikan veshi një jelek fosforeshent ngjyrë portokalli dhe u ngjit në sediljen e pasagjerit të një kamioni për mbledhjen e mbeturinave në Green Bay, Wisconsin, për të tërhequr vëmendjen ndaj një komenti të martën nga Presidenti demokrat Joe Biden, që ai tha se zbuloi përbuzjen që udhëheqësit demokratë ndjejnë ndaj mbështetësve të ish-Presidentit Trump.

Duke marrë pyetje nga gazetarët ndërsa qëndronte i ulur në kamion, ish-Presidenti Trump tha se Presidenti Biden “duhet të ketë turp për veten” dhe se fajtore ishte edhe Nënpresidentja Harris. Mbështetësit e Trump-it “nuk janë mbeturina”, tha ish-presidenti.

Presidenti Trump, megjithatë, u distancua nga komediani në tubimin e tij në Madison Square Garden të dielën, Tony Hinchcliffe, i cili shkaktoi stuhinë politike të kësaj jave duke thënë se Puerto Rico është “një ishull lundrues plehrash”.

“Nuk e di kush është ai…Nuk di asgjë për të”, tha ish-Presidenti Trump, duke shtuar se: “Unë e dua Puerto Rikon dhe Puerto Riko më do mua”.

Nënpresidentja Harris, ndërkohë, u bëri thirrje votuesve në Karolinën e Veriut që të zgjedhin një fillim të ri duke “e mbyllur kapitullin” për kandidatin republikan, për të cilin tha se ishte i fokusuar tek ankesat e tij, në vend të nevojave të amerikanëve.

“Nëse ai zgjidhet, në ditën e parë, Donald Trump-i do të hyjë në atë zyrë me një listë armiqsh. Kur të zgjidhem, unë do të hyj me një listë detyrash”, tha ajo.

Gara është bërë edhe më e afërt në javën e saj të fundit dhe një anketim i agjencisë së lajmeve Reuters dhe firmës Ipsos të martën tregoi se Nënpresidentja Harris kryeson ndaj ish-Presidentit Trump me vetëm 44% përkundër 43% ndër votuesit e regjistruar në nivel kombëtar, shumë brenda kufirit të gabimit. Anketime të tjera të opinionit publik tregojnë diferencë të ngushtë në shtatë shtetet e fushëbetejës që do të vendosin zgjedhjet e 5 nëntorit.

Tensionet janë në rritje. Punonjësit zgjedhorë në shtetet konkurruese po përgatiten për dhunë dhe autoritetet në Florida arrestuan një burrë që kërcënoi votuesit me hanxhar.

Polarizimi në Amerikë ka ngjallur mosbesim. Sipas një anketimi të marsit, po nga Reuters/Ipsos, rreth 38% e republikanëve thanë se e shihnin Partinë Demokrate si një “kërcënim të menjëhershëm” për Shtetet e Bashkuara, ndërsa 41% e demokratëve thanë të njëjtën gjë për republikanët.

Ish-Presidenti Trump vazhdon të bëjë pretendimin e pavërtetuar se humbja e tij në vitin 2020 përballë Presidentit Biden ishte rezultat i manipulimit të gjerë dhe ka sinjalizuar se do ta sfidojë një humbje të mundshme këtë vit, nëse e gjykon të padrejtë, pasi ka ngritur ndërkohë së bashku me mbështetësit një valë padish për të kundërshtuar rregullat e ndryshme zgjedhore në mbarë vendin.

Pjesa më e madhe e përpjekjeve ligjore është fokusuar në rrezikun e votimit nga joshtetasit, megjithëse kontrollet private dhe shtetërore kanë treguar vazhdimisht se kjo praktikë e paligjshme është shumë e rrallë. Fushata për t’u fokusuar tek kjo çështje arriti një fitore të mërkurën kur Gjykata e Lartë riktheu në fuqi vendimin e shtetit Virxhinia për të spastruar nga listat e votuesve të saj 1600 persona për të cilët zyrtarët shtetërorë arritën në përfundimin se mund të mos ishin shtetas amerikanë, një pretendim që administrata e Presidentit Biden e kundërshtoi.

KOMENTI I PRESIDENTIT BIDEN

Komenti i Presidentit Biden të martën, ku ai dukej se përshkruante një ose disa mbështetës të ish-Presidentit Trump si “plehra”, dëmtoi përpjekjet e fushatës së Nënpresidentes Harris për të punuar me ata që nuk pajtohen me të dhe që të tejkalohen ndasitë e hidhura që përcaktojnë politikën amerikane.

Presidenti Biden, në moshën 81-vjeçare, i dha fund kandidimit për rizgjedhje në korrik, pas një debati katastrofik me ish-Presidentin Trump. Ai tha më pas se po i referohej komenteve raciste të bëra nga një folës i vetëm në një tubim të ish-Presidentit Trumpit të dielën, ndërsa ish-Presidenti Trump e akuzoi Presidentin Biden se i referohej të gjithë personave që e mbështesin.

“Ne jemi ‘plehrat’. Dhe unë ju quaj zemra dhe shpirti i Amerikës”, tha ish-Presidenti Trump.

Që nga fushata e vitit 2016, zoti Trump ka krijuar një tërheqje të gjerë ndër amerikanët e bardhë të klasës punëtore, ndërsa demokratët kanë konsoliduar mbështetjen e tyre mes votuesve më të pasur dhe me arsim të lartë. Kontrolli i Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit ka ndërruar anë rregullisht gjatë zgjedhjeve të fundit, duke mos lejuar për një kohë të gjatë asnjërën palë të pretendojë kontrollin mbi të dyja degët e qeverisjes.

NJË FUSHËBETEJË NË JUG

Tubimet paralele në Karolinën e Veriut theksuan rolin vendimtar që ky shtet jugor amerikan mund të luajë në zgjedhje. Ishte i vetmi shtet në fushëbetejë që mbështeti ish-Presidentin Trump në vitin 2020. Për herë të fundit votoi për një kandidat demokrat për president në vitin 2008, megjithëse ka patur një guvernator demokrat, Roy Cooper-in, që nga viti 2017.

Ish-Presidenti Trump kryeson ndaj Nënpresidentes Harris me vetëm një pikë përqindjeje në këtë shtet, sipas një mesatareje të anketimit nga FiveThirtyEight.

Dëmet e uraganit të muajit të kaluar i kanë bërë rezultatet e Karolinës së Veriut veçanërisht të vështira për t’u parashikuar.

Rajoni perëndimor i goditur rëndë anon nga republikanët dhe ka rreth 9% të votave të hedhura në vitin 2020, sipas një analize nga anketuesi republikan Patrick Ruffini.

Ndërsa disa zyrtarë shtetërorë – përfshirë disa republikanë – kanë lavdëruar përpjekjet e organeve federale për pastrimin e dëmeve, ish-Presidenti Trump ka bërë pretendimin e pavërtetuar se ndihma për katastrofat e destinuara për këtë shtet, është devijuar për të ndihmuar emigrantët.

Sipas profesorit të shkencave politike të Kolegjit Catawba, Michael Blitzer, rreth 43% e votuesve të regjistruar në Karolinën e Veriut kanë votuar tashmë dhe ata kanë më shumë gjasa të jenë të bardhë, të zonave periferike dhe gra, krahasuar me elektoratin e përgjithshëm.

Rezultati mund të mos dihet menjëherë, pasi fletëvotimet e dërguara me postë mund të numërohen deri në 10 ditë pas zgjedhjeve./VOA