Turqia synon të sigurojë energji elektrike për Sirinë dhe të ndihmojë vendin të forcojë infrastrukturën e saj energjetike.

Sipas deklaratës së bërë sot nga ministri turk i Energjisë Alparslan Bayraktar, plani i Ankarasë është që të mund të bashkëpunojë me autoritetet e reja siriane për të shfrytëzuar depozitat me naftë dhe gaz natyror që ky vend ka.

“Duhet të sigurojmë shumë shpejt energji elektrike për zonat e Sirisë që nuk e kanë, fillimisht me importe. Në planin afatmesëm planifikojmë të rrisim edhe kapacitetin e prodhimit të energjisë atje”, – tha ministri turk.

Bayraktar tha në takimin e fundvitit me gazetarët se një delegacion, të cilin ai mund të kryesojë, planifikon të shkojë në Siri të shtunën për të diskutuar tranzicionin elektrik të vendit, restaurimin e infrastrukturës dhe çështje të tjera.

“Ka nevojë për gjithçka në Siri. Ne do të punojmë për një plan infrastrukture me udhëheqësit atje”, – tha ai, duke shtuar se Turqia mund të furnizojë gjithashtu me energji elektrike Libanin përmes Sirisë.

Bayraktar vuri në dukje se Ankaraja po kërkon mënyra për të përdorur burimet e naftës dhe gazit të Sirisë për të rindërtuar vendin, pasi prodhimi i të dyjave ka rënë gjatë luftës civile.

“Ka shumë çështje që duhen maturuar, që nga krijimi i një tubacioni nafte nga Siria në Turqi dhe bashkimi i tij me tubacionin Irak-Turqi”, – vuri në dukje ai, ndërsa vlerësoi se Ankaraja dhe Damasku mund të bashkëpunojnë në sektorin e naftës dhe gazit natyror në të ardhmen e afërt.

Pas mbështetjes së rebelëve sirianë që rrëzuan presidentin Bashar al-Assad më herët në dhjetor, Turqia është bërë një nga forcat kryesore që ndikon në Siri dhe është zotuar të ndihmojë në rindërtimin e vendit pas 13 vitesh luftë civile.

Turqia ishte një nga vendet e para që rihapi ambasadën e saj në Damask, ndërsa ministri i jashtëm turk dhe shefi i inteligjencës së vendit u takuan me udhëheqësin de fakto të Sirisë, Ahmed al-Sara.