Filmi i animuar “Në kërkim të Nemos” ka emocionuar miliona njerëz në mbarë botën me historinë prekëse të një babai që përshkon oqeanin për të gjetur të birin e humbur. Por, sipas shkencës, ngjarja që ne kemi parë në ekran do të kishte marrë një rrjedhë krejt tjetër, po të bazohej në biologjinë reale të peshkut-klloun.
Sipas biologjisë detare, të gjithë peshqit-klloun lindin meshkuj dhe jetojnë në grupe të vogla ku ka vetëm një femër dominuese, e cila është e vetmja që riprodhohet. Kur kjo femër vdes, mashkulli më i fortë i grupit kalon një proces të njohur si “hermafroditizëm sekuencial” dhe shndërrohet në femër. Më pas ai çiftëzohet me një tjetër mashkull dhe cikli vijon.
Në këtë kontekst, po të ishte shkencërisht korrekt, Marlin – babai i Nemos – do të ishte kthyer në femër pas vdekjes së bashkëshortes në fillim të filmit. E për më tepër, rreziku do të ishte që Nemo të bëhej partneri i tij i ri riprodhues – një skenar sa biologjikisht i mundshëm, aq edhe tronditës për publikun.
Ky fakt është bërë viral pas publikimit të një videoje në Reddit, duke sjellë reagime të shumta dhe komente plot humor. “Kjo është arsyeja pse Nemo iku – për të mos u çiftuar me mamin e tij të ri”, shkroi një komentues me ironi.
Sipas National Library of Medicine, procesi i ndryshimit gjinor ndikohet nga niveli i kortizolit, hormoni i stresit. Kur femra dominuese vdes, stresi bie dhe kjo ndihmon në nisjen e tranzicionit hormonal.
Një tjetër fakt interesant është marrëdhënia simbiotike mes peshkut-klloun dhe anemonave të detit: peshqit përdorin tentakulat helmuese të anemonave për mbrojtje, ndërsa këto të fundit ushqehen me mbetjet që ata lënë pas.