Në Korenë e Veriut është e ndaluar të përdoret emri që mban vajza e liderit Kim Jong Un. Lëvizja e fundit e regjimit komunist u zbulua nga agjencia e lajmeve “Radio Free Asia”, e cila citon dy burime anonime. Autoritetet e Koresë së Veriut po i detyrojnë vajzat dhe gratë të ndryshojnë emrat e tyre, nëse ato quhen Kim “Ju Ae”.
Për të bërë këtë ndryshim, autoritetet atje u kanë lënë afat vajzave dhe grave koreane 1 javë kohë. Sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja, ky emër është i rezervuar tani vetëm për personalitete me “dinjitet shumë të lartë”.
Edhe në të kaluarën, qytetarët në Korenë e Veriut janë ndaluar që të përdorin të njëjtët emra si udhëheqësit dhe të afërmit e tyre. Edhe vetë Kim Jong Un i ndaloi burrat të mbanin emrin e tij në vitin 2014.
Vajza e liderit koreanoverior besohet se është 10 vjeç dhe është e vetmja nga tre fëmijët e tij që është bërë publike për popullin. Disa ekspertë thonë se ky është një veprim i qëllimshëm, pasi spekulohet se ajo do të jetë pasardhësja e tij.