Me thirrjet “vrasës”, 130 mijë persona dolën në shesh në qendër të Valencias për të kërkuar që Carlos Mazón, guvernatori i Rajonit, të japë dorëheqjen.

Dorëheqja e tij kërkohet si përgjigje ndaj asaj që po konsiderohet si faj i rëndë i administratës vendore në menaxhimin e stuhisë Dana që më 29 tetor goditi pjesën jugperëndimore të Spanjës.

Ndërsa bilanci i viktimave vazhdon të rëndohet, me 223 të vdekur dhe 78 ende të zhdukur, protestuesit iu përgjigjën masivisht thirrjes së shoqatave civile dhe sindikale për të denoncuar mosveprimin e qeverisë vendore përballë emergjencës së shkaktuar nga Dana.

Tubimi po zhvillohet në mënyrë paqësore, edhe pse disa persona kanë hedhur tymues në drejtim të derës së bashkisë, ku ishin vendosur policë që reaguan duke i larguar protestuesit në një moment tensioni.

Një tubim në të njëjtën orë është mbajtur edhe në Puerta del Sol në Madrid dhe po ashtu protesta të tjera në Alicante dhe Elche.

Në përgjigje të pjesëmarrjes së lartë në tubimin e Valencias, Partia Popullore ka ndërhyrë duke akuzuar protestuesit se janë “të politizuar” dhe të nxitur nga grupet katalanase të “Països Catalans”.

Midis protestuesve ka nga ata që thërrasin “populli po vdes, Mazón po ha,” pasi për të rënduar më tej pozicionin e guvernatorit, “El País” publikoi dje një raport sipas të cilit Mazón-i popullor, ditën e përmbytjes, mbërriti me dy orë vonesë në mbledhjen e qendrës së koordinimit të emergjencave Cecopi, që ai drejton, duke qëndruar për drekë deri vonë me një gazetare, të cilës i kishte ofruar drejtimin e televizionit lokal A Punt.