Mbledhja e Këshillit Politik e zhvilluar në rezidencën e ambasadores së SHBA-ve, Yuri Kim është ndërprerë për disa orë për të rifilluar sërish.

Panorama raporton se pas këtij takimi, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim pritet të dalë në një konferencë për mediat.

Ndërkohë që ekspertët e caktuar nga opozita, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, pas takimit në rezidencën e ambasadores së SHBA, zhvilluan një takim në selinë blu, ku janë takuar me kreun e opozitës Lulzim Basha, të cilin e kanë informuar me detajet e negociatave.

Në takim ka qenë edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila është parë teksa ngjit shkallët me vështirësi. Pas takimit për rreth 30 minuta në selinë e PD, Bylykbashi dhe Vasili pritet të rikthen sërish në tryezën e negociatave

Ende nuk dihen detajet si ka shkuar procesi i negociatave mes palëve për finalizimin e një drafti konsensusal për reformën zgjedhore.

Ambasadorja e SHBA dhe diplomatët e tjerë të angazhuar në këtë proces ndërmjetësimi janë shprehur optimist  se procesi do të finalizohet me konsensus.