MOTI I KEQ – Dita e nesërme pritet të jetë mjaft e ftohtë dhe temperaturat e ulta dhe i ftohti polar do të pushtojnë të gjithë vendin. Parashikimet metereologjike flasin për temperatura nën zero gati në të gjithë Shqipërinë, ndërkohë që në zonat e thella malore në veri dhe julindje të vendit termometri pritet të ulet deri në -14 gradë. Ulja e ndjeshme e temperaturave do të vijë si pasojë e masave të ftohta polare që po mbërrijnë në vendin tonë nga gadishulli Skandinav.

Prej disa ditësh vendi ynë është nën pushtetin e dëborës dhe në shumë akse rrugore lëvizja e automjeteve kryhet me mjaft vështirësi.

Për të parandaluar aksidentet rrugore policia u ka rekomanduar drejtuesve të mjeteve të tregohen mjaft të kujdesshëm dhe të përdorin zinxhirë. Ndërkohë rrugët ku hasen problemet më të shumta në qarkullim janë ato në qarkun e Kukesit. Aksi Morinë-Kalimash dhe Kukës-Has janë të kalueshëm me zinxhirë, ndërsa disa prej rrugëve rurale janë të pakalueshme.  

Sipas sinoptikanëve përmirësimi i motit dhe rritja e temperaturave do të fillojë nga fundjava. Ditën e shtunë pritet që termometri të rritet me deri 10 gradë celcius.