Skuadra e re e Miamit, që ka për pronar David Bekhamin, është pranuar të regjistrohet në MSL duke nisur që nga viti 2020. Ish-futbollisti i Manchester United, Realit të Madridit, PSG-së, Milanit dhe Los Angeles Galaxy, po mendon që tani për të afruar emra të mëdhenj për të përforcuar skuadrën.

Tabloidët anglezë kanë zbuluar disa emra, me Bekham që më parë duhet të gjejë njeriun e duhur për drejtimin e ekipit. I pari në listë për rolin e trajnerit është Carlo Ancelotti, me të cilin Bekham ka punuar kur luante me PSG. 58-vjeçari është ende në kontratë me Bayernin, që e shkarkoi në vjeshtë për rezultate të dobëta.

Gjithashtu Ancelotti është kandidat për të marrë drejtimin e Italisë. Bekham po mendon edhe për Zinedine Zidane, bashkëlojtarin e tij kur ishte pjesë e Realit të Madridit. Një emër tjetër është Bruce Arena, trajneri amerikan që ka punuar me Bekhamin kur drejtonte Los Angeles Galaxy. 66-vjeçari së fundmi ishte në krye të Shteteve të Bashkuara, por dha dorëheqjen për shkak të moskualifikimit në Botëror.

Nga trajnerët kandidatë, te sulmuesit e mëdhenj. Bekham shpreson të bindë Wane Rooney-n që të transferohet në MLS, pasi të mbyllë eksperiencën e dytë me Evertonin. Bekham ka luajtur për një kohë të shkurtër me Rooney te Manchester United. Qershia mbi tortë mbetet Cristiano Ronaldo, sot 33-vjeç. Portugezi ishte futbollisti që zëvendësoi Bekhamin te “Djajtë e Kuq”, duke trashëguar prej tij numrin 7.