Sot u shënua viktima e radhës në qytetin e Durrësit që ndërron jetë prej motit të ftohtë. Endacaku i identifikuar me emrin Viktor Dhima, u gjet i pajetë mëngjesin e kësaj të hëne në afërsi të hyrjes nr. 2 të portit detar.

Por Dhima nuk është i vetmi person që ka ndërruar jetë në kushte ekstreme të mbijetesës në rrugë, ku i ftohti i acartë i dimrit i ka ndalur zemrën.

Rasti i dy viteve më parë, po në fillim të janarit, me vdekjen e të pastrehit Beni, që njihej nga të gjithë në Durrës, revoltoi dhe preku zemrat e qytetarëve. Më 7 janar të 2017-s, Beni u gjet i vdekur në lulishten e lagjes nr. 17, aty ku dhe kalonte pjesën më të madhe të ditës duke lypur, e nata e zinte ku të mundte, nëpër streha pallatesh apo stolat e lulishteve.

Po ashtu, një tjetër endacak ndërroi jetë më 4 mars të 2018-s. Ai u gjet në rrugë në afërsi të pallatit të sportit “Ramazan Njala”.

Ndërkohë, një tjetër rast shokues është regjistruar më shumë se 3 vjet më parë, ku një foshnje 1-muajsh ndërroi jetë në mënyrë tragjike në Durrës. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 19 dhjetorit 2015-s tek Ura e Dajlanit, ku fëmija kishte kaluar natën bashkë me nënën e tij 18-vjeçare. Nëna nga komuniteti rom, e pastrehë dhe e divorcuar, bashkë me foshnjën e kishin gdhirë duke fjetur poshtë urës, dhe si pasojë foshnja gjeti vdekjen duke mos i rezistuar dot motit të acartë.

Tetorin e 2013-s, pati jehonë të gjerë vdekja e të moshuarës Sofie Qëndro, 87-vjeçares që vdiq në lulishten e qytetit, pasi u detyrua të largohej nga banesa ku kishte jetuar prej vitesh, për lirimin e banesave të ish-pronarëve. 87-vjeçarja së bashku me nipin e saj 67-vjeçar, prej 6 javësh kaluan ditët dhe netët kruspull në një stol para Bashkisë së Durrësit, deri kur i ftohti i acartë e çoi drejt vdekjes të moshuarën.

S.L.