Në shtëpinë e tim Ati
E kam vizituar shtëpinë dhe qytetin shpesh herë. Edhe sot jam këtu në vendin dhe në ditën ku ai ka lindur, në Tropojë më 11 mars në 1963. Natyrisht që shumë gjëra kanë ndryshuar këtu.
Një transformim gjigand për të cilin nuk e di se si do të kishte reaguar vetë ai, në qoftë se do të kthehej edhe një herë në botën reale. Dyqanet janë të pajisur me produkte të importuara. Rrugët janë të mbushura me autovetura të huaja, por trasformimi i vërtetë ndihet më shumë tek njerzit se sa tek ai i qytetit. Por edhe bota ka ndryshuar gjithashtu. U bënë shumë kohë që edhe vetë perdja e hekurt ka rënë. Burrat e hekurt që dominonin politikën postkomuniste të viteve 90 që nga Boris Jelcini, Jaques Chirac dhe Gerhard Shroeder, u zëvendësuan me mishërime më të buta duke u performuar nga politikanë edhe më shumë liberalë sikurse Bill Clinton dhe Tony Blair. Por ajo sërisht po ngurtësohet nëpërmjet figurave si Donald Trump.
Por unë jam sërish këtu, në këtë ditë të ngrohtë dhe të mbushur me diell, sikurse dita kur ai ka lindur. Ditë që të mbushin me frymëzim për të kërkuar lirinë e pafund sikurse qielli i pafund dhe i kaltër i kësaj dite pranverore. Me përjashtim të disa ndryshimeve kozmetike në pjesën e jashtme të ndërtesës, banesa ku ka lindur im atë ka mbetur e njëjtë. Një shtëpi e cila ngjan me shumë shtëpitë e shumë qytetarëve që jetojnë sot në kushte normale dhe të thjeshta. Kjo tregon që jeta njerëzore është një vazhdimësi. Deri diku ne jetojmë dhe vdesim në të njëjtën mënyrë, si të lindim në vitin 1963 por edhe 2018. Janë faktorët të tillë sikurse kushtet e ekonomike, sociale dhe doktrina politike që gdhendin ngjarjet gjatë hyrjes sonë në botë dhe të kalimit në një botë tjetër. Ndërsa politika është një proces i karakterizuar nga përparimi dhe regresioni, përvoja njerëzore është më e thjeshtë. Në një botë apo realitet kur të gjitha janë thënë dhe bërë, ne ose zgjedhim të bëjmë atë që është e drejtë, ose zgjedhim të tolerojmë atë që është e gabuar.
Tropoja është duke dalë nga dimri tashmë. Me siguri im atë do ta kishte ndjerë mirë këtë ndryshim sezonal. Qielli me thellësinë e kaltër këtu të frymëzojnë pambarim dhe dëbora e pastër e maleve që nuk shkrin as në verë është ajo që e ruan kërtë frymëzim që ë mbetët i pastër dhe i kulluar përherë. Kushtet dhe mjedisi e kanë favorizuar përherë. Këtë mendoj sa herë shkoj në Tropjë dhe nuk ngopem duke parë ato male epike që të mbushin me frymëzim dhe me krenari të papërsëritshme. Nuk e di a do t’i ketë patur këto kushte ndonjë politikan i brezit të tij? Megjithëse kot pyes! Unë asnjëherë nuk kam menduar se kushtet dhe mjedisi janë universale dhe është thjeshtë mendimi ai që bën ndryshimin. Për mua kushtet dhe mjedisi janë një bazë e shëndoshë për formimin e një karakteri të shëndoshë dhe të çeliktë.
Nga mosha 6 ose 7 vjeç rreth kohës që ai hyri në shkollën fillore, bota rreth tij po ndryshonte, Leonid Brezhnev shkatërroi tanket e Pranverës së Pragës për të shtypur studentët që kërkuan ndryshim në Çekosllovaki. Këto ngjarje me siguri ndikuan në mjedisin ku jetonte ai, sepse regjimi i Hoxhës i frikësohej shfaqjes së zërave demokratikë në të gjithë Evropën Lindore dhe orkestroi spastrime veçanërisht të egra në këtë kohë. Disa nga viktimat e Hoxhës u dërguan në kampin e ndërtuar rishtazi në Spaç, më pak se 40-km nga Bajram Curri, ku frika duhet të ketë qenë e dukshme për të gjithë, përfshirë fëmijët. Por frika nuk e pengoi një fëmijë të rritej dhe të burrërohej dhe të merrte vendimet që më vonë mori.
Kur erdhi në Tiranë për të vazhduar shkollimin, instikti i tij politik ishte pjekur. Jo më kot ai parapëlqeu që të studionte filozofi dhe politikë. Me punën dhe idetë e tij ai dëshmoi se sistemet e pushtetit politik të cilat dukeshin të pathyeshme të frikshme dhe të pashkatërrueshme, papritur prishen, thahen dhe zbehen. Në romanin e tij "Zemra e errësirës", Joseph Conrad përshkruan sundimin e Mbretit Leopold në koloninë belge, e cila tani është Republika Demokratike e Kongos dhe për të marrë hua fjalët e Conradit, diktatura e Enver Hoxhës u zbulua te babai im si “dobësi, me pretendime, me sytë e djallit, po rimbushur nga një kotësi dhe pafytyrësi".
Utopia socialiste që iu shit shqiptarëve nga propagandistët e vendeve të largëta ishte një gënjeshtër totalitare. Mungesa totale e lirisë si dhe e nevojave material sikuse e energjisë elektrike, ushqimi, gjërat bazë u kufizuan shumë nga fundi i viteve 1970, ndërsa epoka e "stagnimit të madh" të Leonid Brezhnevit e kishte detyruar ish-Bashkimin Sovjetik të të merrte greminën dhe i dha tronditje që përfundimisht do t'i çonte këto regjime të dobësoheshin dhe të shkatërroheshin në ishBllokun Lindor.
Babai im nuk jetonte me mashtrime dhe me prentendime të kota për një botë asgjëkundi që nuk do të vinte asnjëherë, dhe e shfaqi atë në momentin që u rikthye në Tiranë për të ndjekur studimet e larta, kur u ngrit si arkitekti kryesori i kolapsit të komunizmit.
Sa herë kthehem në Bajram Curri është një kujtesë e fuqishme se si shoqëria në të cilën ne lindim, gjithmonë mund të ndryshohet. Ne jetojmë dhe vdesim përfundimisht me vendimin tonë ose për të pranuar mashtrimet, korrupsionin dhe fantazinë e partive dhe sistemeve të sëmura politike, ose besojmë se njeriu prihet nga të drejtat themelore njerëzore dhe duhet të qeveriset me një sjellje morale.
Kur sistemet politike e minojnë, kontrollojnë dhe dëmtojnë shoqërinë, nuk është vetëm një vendim, por një imperativ kategorik moral, për të ndryshuar këto sisteme. Pavarësisht nga pozicioni ynë në shoqëri, inteligjenca jonë, forca jonë ose qasja jonë në pushtet, jemi ne ata që zgjedhim për të mbijetuar në sisteme e cila zgjat vuajtjen, ose ne sakrifikojmë veten për të ndaluar vuajtjet e të tjerëve.
Shumë nga propagandistët dhe ideollogët që kontrollonin Shqipërinë, kërcënonin me lloj-lloj mënyre dhe torture ata që mendonin ndryshe dhe për fat të keq kjo është akoma pjesë e kulturës politike në vendin tonë. Ndërsa im atë që zgjodhi të ngrihet dhe të drejtohej gjatë gjithë jestës së tij nga morali i pastër dhe liria që mungon sot një parlamenti dhe shoqërisë shqiptare. Kjo është një tragjedi në vetvete por nga ana tjetër gjithashtu ndjej një përgjegjësi të thellë dhe nder që emiri i tij është i përfaqësuar nëpërmjet meje sot në parlament.
Mendoj se përjetimi i spastrimeve të Stalinit dhe egërsisë së nacionalizmit gjerman të ekstremeve të majtë ose të djathtë dhe se kohët e veshtira për njerzimin sjellin individë për të kujtuar se morali është i panegociueshëm. Makineria e cilësdo diktaturë ose shteti autoritar kurrë nuk kanë përulur moralin e lirisë. Por thjeshtë na kujtojnë triumfin e qënies së pastër njerëzore karshi nënshtrimit ndaj frikës dhe totalitarizmit. Ata vuajtën për të tjerët dhe ikën nga kjo botë dhe ashtu sikurse babai im do të kujtohet gjithmonë sepse ata u ngritën dhe nuk toleruan padrejtësinë.
Kur jetojmë në sisteme të konceptuara për të përcaktuar mënyrën se si jetojmë qoftë në diktaturë apo në demokraci, aty brënda ka dhe imoralitet dhe ndershmëri por është detyra e çdo individi për të zgjedhur se si dëshiron të jetojë. Principi më i rrezikshëm dhe i pafalshëm që shpesh justifikojmë vetë është kompromisi i gabuar, që bëjmë me ndrydhjen e lirisë mbi bazën sepse është e vetmja mënyrë për të mbijetuar. Edhe vetë demokracia për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë sjell vetëm barazi. Ajo që na sjell lirinë e ëndërruar është vetë kultura dhe shtëpia e thjeshtë e tim ati dhe jeta e tij është testament gjallë se ne s’mund të bëjmë dot të njëjtat gabime sepse historia është e pashlyeshme.
Nga Rudina Hajdari, Tropojë 11 mars 2018
(Marrë nga faqja zyrtare në "Facebook")