Tre turistë turq janë shpëtuar nga policia kufitare në Sarandë, pasi veliera e tyre me të cilën po udhëtonin nga Durrësi pësoi defekt dhe ato ngelën në det.

Sipas informacioneve mësohet se gjatë patrullimeve në të gjithë hapësirën detare, shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës kanë konstatuar në afërsi të gjirit të Sarandës, 3 shtetas turq që kërkonin ndihmë, pasi kishin mbetur në det, për shkak se mjeti i tyre lundrues velierë kishte pësuar defekt.

Menjëherë, shërbimet e Policisë iu kanë ofruar ndihmë 3 turistëve që po lundronin nga Durrësi, drejt Sarandës, dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg, në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjithashtu, është tërhequr në vendin e ankorimit, mjeti lundrues velierë që kishte pësuar defekt.

3 turistët kanë falënderuar punonjësit e Policisë për gatishmërinë e treguar dhe për ndihmën e ofruar.