Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka thirrur në një takim liderët e dy prej partive më të mëdha parlamentare, Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në përpjekje për ta gjetur një mënyrë për konstituimin e vonuar të Kuvendit të Kosovës.

Derisa Krasniqi e pranoi ftesën, LDK-ja tha se nuk e pranon. Ndërkohë takimi mes Albin Kurtit të LVV-së dhe Memli Krasniqit të PDK-së ka nisur në orën 8:30.

Sipas REL, Kurti e Krasniqi po takohen kokë më kokë, të pashoqëruar nga dikush tjetër. Takimi zhvillohet rreth dy orë para se të fillojë vazhdimi i nëntë i seancës konstituive të Kuvendit.

Krasniqi deklaroi se do të shkojë në takim me shpresën se Kurti do të ndryshojë qëndrim në lidhje me propozin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se “ne nuk marrim pjese ne takim” dhe se kryetari Abdixhiku ndodhet jashtë vendit.