Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Suedi, ku është takuar me përfaqësues të lartë të Parlamentit suedez.
Ai është pritur nga Nënkryetari i Parë i Parlamentit, Kenneth G. Forslund, si dhe nga drejtues të komisioneve parlamentare Aron Emilsson dhe Matilda Ernkrans.
Postimi i Gjekmarkajt:
Vizitën zyrtare 3-ditore në Suedi pata kënaqësinë ta nis me një takim të rëndësishëm dhe dreke pune me Nënkryetarin e Parë të Parlamentit, Z. Kenneth G. Forslund, së bashku me Kryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme, Z. Aron Emilsson, dhe Nënkryetaren e Komisionit për Bashkimin Evropian, Znj. Matilda Ernkrans.
Në emër të Partisë Demokratike dhe liderit të saj, Prof. Dr. Sali Berisha, shpreha mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që institucionet dhe populli suedez i kanë dhënë Shqipërisë gjatë 35 viteve të tranzicionit demokratik. I garantova për angazhimin tonë të plotë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit tonë.
Gjatë takimit ndamë shqetësimet kryesore që lidhen me sfidat e demokracisë në Shqipëri: legjitimitetin e zgjedhjeve, pavarësinë e drejtësisë dhe funksionimin e plotë të Parlamentit. Diskutuam gjithashtu problematikat e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025, presionin ndaj institucioneve të drejtësisë dhe cenimin e vazhdueshëm të të drejtave të opozitës.
Këto çështje u pritën me mirëkuptim nga parlamentarët suedezë, të cilët shprehën gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në përballimin e këtyre sfidave dhe në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Po ashtu, u njoftuam se një delegacion nga Komisioni për Punët e Jashtme do të vizitojë Shqipërinë muajin e ardhshëm për të parë nga afër këto zhvillime.
Mirënjohës për mikpritjen dhe dialogun e hapur, bashkëpunimi dhe mbështetja ndërkombëtare mbeten kyçe për një Shqipëri më demokratike dhe më pranë Evropës.





