Një zyrtar i lartë i një task-force të OKB-së ka paralajmëruar se bota mund të përballet me një krizë të madhe ushqimore nëse nuk lejohet së shpejti kalimi i plehrave kimike përmes Ngushticës së Hormuzit.
Sipas tij, bllokimi i kësaj rruge strategjike po pengon transportin e një pjese të madhe të plehrave kimike dhe lëndëve të para si amoniaku, urea dhe squfuri, të cilat janë të domosdoshme për bujqësinë globale.
Kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në sezonin e mbjelljeve në disa vende.
Ai paralajmëron se nëse situata vazhdon, deri në 45 milionë njerëz mund të përballen me mungesa ushqimore dhe rrezik urie, sidomos në rajone të Afrikës dhe Azisë që varen nga prodhimi bujqësor.
OKB ka krijuar një mekanizëm të posaçëm për të lehtësuar kalimin e ngarkesave përmes ngushticës dhe po zhvillon bisedime me mbi 100 shtete për të siguruar mbështetje. Megjithatë, sipas tij, disa palë kryesore ende nuk kanë arritur marrëveshje.
Ai shton se edhe nëse kalimi hapet menjëherë, stabilizimi i tregut dhe furnizimeve do të kërkojë disa muaj. Ndërkohë, çmimet e plehrave kimike janë rritur ndjeshëm, gjë që mund të sjellë ulje të prodhimit bujqësor dhe rritje të çmimeve të ushqimeve.
Sipas OKB-së, zgjidhja e situatës varet nga vullneti politik për të garantuar lëvizjen e lirë të mallrave jetike për ushqimin global.





