Është e pamundur të mos e njohësh Ninën në qytetin e Durrësit. Një biznesmene që ka kontribuar në fushën e bukurisë, por jo vetëm. Plot 25 vite karrierë të ndërtuara “me thonj” siç shpjegon edhe ajo vetë, janë dëshmitare të suksesit të saj.

Profesionin në fushën e parukerisë e ka nisur me një dyqan të vogël e të thjeshtë, ndërsa sot me shumë mund, punë të palodhur e pasion ka arritur të krijojë një oaz bukurie e relaksi.

Teksa e pyes ku e gjen frymëzimin, pasi  parukeria kërkon imagjinatë, perfeksion dhe përshtatje modelesh, si një profesioniste e vërtetë thotë: ”Imagjinata është diçka e brendshme. Mjafton që unë të prek pak flokët e klienteve për të hyrë brenda kësaj bote”. Më tej ajo shpjegon se për të qenë koherente me modelet e reja dhe ndjek 3 herë në vit seminare në Itali, Gjermani dhe Zvicër.  

Biznesi i parë ishte parukeria, më pas familja Beqiraj u zgjerua me aktivitete të tjera në fushën e restoranteve, hotelerisë dhe noterisë. “2 Kitarrat” është tashmë një restorant i njohur në Durrës, ku mbrëmjeve qytetarët mund të shijojnë edhe muzikën live.

Në ambientet e hotelit ndodhet edhe një qendër luksoze SPA- je. Çdo gjë është e kuruar në detaje. Sapo futemi aty shkëputemi nga realiteti i përditshëm. Aromat e vajrave esencialë na përkëdhelin shqisat dhe shkojmë herë në lindje në Turqi me Hamamin dhe vajrat e Marokut, herë në Azi me masazhet me gurë të nxehtë e dhomën me kripë të kuqe nga Himalajet.

“Kur miqtë më pyesin mos ishte një ivestim një investim i tepruar ky që ke bërë, i përgjigjem: Paskam qenë vonuar në hapjen e një qendrë të tillë, pasi  interesi është shumë i madh”– shpjegon Nina duke lënë të kuptohet se një ambient i tillë në qytet mungonte.

Koha e lirë e Ninës është shumë e paktë, por ajo arrin me çdo kusht të gjejë kohën e lirë për dy dashuri të mëdha: mbesat e saj. Siç thotë edhe shprehja: Fëmijët e fëmijëve janë mjalti i mjaltit dhe për Ninën është vërtet ashtu. Pa lënë mënjanë punën ajo arrin të gjejë edhe disa momente për të qëndruar me dy vogëlushet.

Sigurisht që të gjitha angazhimet e kanë mbajtur Ninën më shumë jashtë shtëpisë, sa tek restoranti për organizimin e eventeve, tek hoteli, qendra SPA dhe salloni i bukurisë. Ajo rrëfen se i vetmi peng i jetës së saj është fakti që nuk ka qëndruar pak më shumë me familjen. Me modestinë e një njeriu të madh, shprehet se këtu ku është sot nuk do të mund të arrinte pa mbështjetjen e vjehrrës, por edhe bashkëshortit të saj Adilit.

Intervistën e këndshme Nina e mbyll me një këshillë shumë të vlefshme për nënat e reja: “Jini pranë fëmijëve, por edhe pa lënë punën mënjanë, sepse kënaqësia që merr kur rri pranë dhe shijon fëmijët teksa rriten është shumë më e madhe sesa kënaqësia që merr nga puna”.

R.O.