Identifikimi i Leonardo Sinanit, 26-vjeçarit që mesnatën e 14 Gushtit 2026, vodhi 27 milion lekë nga shtëpia e xhaxhait të tij, Durim Sinani, është mundësuar duke përdorur një kurth hetimor nga policia dhe prokuroria e Tiranës.

Që në fillimet e para, kur xhaxhai i tij ka bërë denoncimin në komisariatin Nr.6 në Tiranë, Sinani ka qënë i dyshuar, por grupi i hetimit nuk kishte prova, që ta akuzonte direkt atë për vjedhjen.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se Sinani pasi ka vjedhur banesën e xhaxhait tij, është rikthyer sërish aty dhe ka gjetur policinë, xhaxhain dhe djalin e xhaxhait, të cilët siç ka deklaruar ai i ka gjetur në një gjendje të dëshpëruar.

Më pas ai është larguar me një makinë, të cilën policia në bazë të pamjeve filmike, e ka identifikuar se është përdorur në vjedhje nga njëri prej 4 personave që morën pjesë në vjedhjen e 27 milion lekëve dhe bizhuterive me vlerë 5 milion lekë.

Kjo makinë është fshehur në ambientet e një serivisi në zonën e “Astirit” në Tiranë. Policia dhe prokuroria i kanë kërkuar 26-vjeçarit Leonardo Sinanit, të tregonte vendndodhjen dhe dorëzonte makinën, por ai ka filluar të japë justifikime të ndryshme që ja kishte dhënë një shoku.

Ky shok i tij, është shoqëruar në polici dhe marrë në pyetje, duke deklaruar se nuk kishte marrë asnjë makinë prej Leonardo Sinanit.

Nisur nga kjo situatë policia, ka bërë arrestimin e Leonardo Sinanit duke e akuzuar fillimisht për akuzën e “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Por vetëm 24 orë pas arrestimit, Leonardo Sinani, është liruar, duke krijuar për të një perceptim “shpëtimi” nga ndjekja penale.

Gjatë kohës që ai është mbajtur në dhomat e shoqërimit në polici është përgjuar në bashkëbisedim me persona të tjerë të shoqëruar si të dyshuar për këtë vjedhje.

Sinani, ka biseduar se kishte mundur ti fshihej vjedhjes së banesës së Xhaxhait të tij, pasi akuzohej vetëm për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Por nga ana tjetër veç këtyre përgjimeve, njëri nga bashkëpunëtorët e tij në vjedhjen e banesës së xhaxhait të Leonardo Sinanit, i arrestuari Kleand Tomja, kishte vendosur të bashkëpunonte me policinë, duke treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes, planin e ndërtuar nga Sinani, mënyrën e futjes brenda në banesë, ndarjen e lekëve në zonën e stadiumit “Air Albania” dhe fshehjen e makinave në një servis në zonën e “Astirit” në Tiranë.

E gjitha ka qenë një kurth hetimor, që policia dhe prokuroria e Tiranës, i kishin ngritur të dyshuarit kryesor të kësaj vjedhje, Leonardo Sinani. Ditën e arrestimit, Sinani është nxjerrë nga qelia dhe thirrur në zyrën e oficerit të policisë në komisariatin Nr.6 në Tiranë, duke i komunikuar urdhrin e lirimit.

Por pikërisht, sapo i është komunikuar urdhri i parë, 26-vjeçarit Sinani, oficerët i kanë komunikuar dhe një urdhër të dytë, duke e arrestuar pasi ndaj tij dhe 3 bashkëpunëtorëve të tij,  Mark Hila, Antonio Budini dhe Kleand Tomja ishte lëshuar një urdhër arrestimi pasi akuzoheshin për “Vjedhje” dhe “Mbajtje pa lejë të armëve të zjarrit dhe municionit”.

Tashmë, Leonardo Sinani, Mark Hila dhe Kleand Tomja janë arrestuar dhe mbyllur në burg nga gjykata e Tiranës. Ndërsa bashkëpunëtori i tyre Antonio Budini nga Lezha vijon të jetë në kërkim.

Siç ka mësuar gazetari Elton Qyno, kallëzuesi Durim Sinani, me profesion “Kasap” mbrëmjen e 14 Gushtit 2026, kishte shkuar në ambientet e një lokali në fshatin Ibë të Tiranës, për të festuar ditëlindjen e bashkëshortes së tij.

Mes shumë personave, familjarë dhe miq që kishte ftuar, Sinani në këtë mbrëmje kishte thirrur dhe djalin e vëllait të tij, nipin Leonardo Sinani.

Por paralelisht me prezencën e tij në këtë festë familjare, Leonardo Sinani, ka organizuar dhe koordinuar së bashku me 3 persona të tjerë, një skenar kriminal me qëllim vjedhjen e shtëpisë së xhaxhait të tij, Durim Sinani.

Në këtë plan kriminal, Leonardo Sinani, ka futur dhe 3 shokët e tij Kleand Tomja, Mark Hila dhe Antonio Budinin, të cilëve ju ka dhënë të gjitha orientimet dhe lëvizjet që duhet të bënin teksa ai ishte në festën e xhaxhait të tij.

Durim Sinani ka treguar se gjatë orës që ai ka qenë në lokal dhe që po festonin, ka parë nga telefoni se kamerat e shtëpisë, nuk po punonin. Është shqetësuar pak, pasi nga një kamerë kishte ngelur në telefon pamje filmike ku dukej një person jashtë portës së shtëpisë, por ka menduar se nuk kishte ndonjë gjë serioze.

Pasi kanë mbaruam darkën rreth orës 01:00 janë kthyer në shtëpi dhe ka konstatuar se brenda në shtëpi kishin hyrë hajdutë dhe kishin vjedhur paratë dhe bizhuteri. Në katet e dytë dhe të tretë kishte më shumë rrëmuje dhe dy dyert e brendshme ishin hapur me forcë dhe kishin prishur bravën e derës.

Në të gjithë shtëpinë ka parë rrëmujë, sende në tokë të hedhura dhe sirtarë të nxjerra jashtë të kontrolluara, kuti bizhuterie bosh të hedhura në dysheme.

Më tej shton se ka shkuar tek dhoma në kuzhinën e katit të tretë ku kishte vendosur paratë e familjes dhe të biznesit, të cilat nuk i ka gjetur tek kutia që ndodhej sipër një tavoline.

“…gjithashtu dhe tek dy dhomat e gjumit, të tij dhe djalit kishin vjedhur bizhuteri, dhe rreth 2 milion lekë të djalit, në total më kishin vjedhur shumën 27 milion lekë dhe bizhuteri floriri në vlerën 5 milion lekë…” – ka treguar në polici Kasapi, Durim Sinani. /Marrë nga Syri.net