Revolta qytetare kundër qeverisë ka mbërritur sot në një tjetër pikë. Në ditën e 28-të radhazi të tubimeve në Tiranë, organizatorët kanë thirrur një protestë të madhe kombëtare, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive nga të gjitha qytetet dhe diaspora.

Protestuesit e parë kanë nisur tashmë të mblidhen në sheshin Skënderbej. Sipas skenarit të parashikuar, pasi të grumbullohen në qendër të kryeqytetit, qytetarët do të nisin një marshim masiv drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit për t’u ndalur para godinës së Kryeministrisë.

Veçoria e këtij tubimi të sotëm, përveç karakterit mbarëkombëtar, është edhe mbështetja ndërkombëtare në terren. Në këtë ditë të 28-të të revoltës, protestës pritet t’i bashkohen edhe eurodeputetë, të cilët kanë ardhur në Tiranë për të ndjekur nga afër zhvillimet dhe për të mbështetur kërkesat e qytetarëve për transparencë dhe shtet të së drejtës.

Ashtu si në ditët e kaluara, kërkesat kryesore të tubimit mbeten të qarta dhe të prera: dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie teknike tranzitore, si dhe barazia e plotë përpara ligjit.