Në stadiumin ka nisur puna për mbjelljen e barit. Pas korrjes së barit dhe sistemimit të tij pritet që të hidhet edhe fara e re, për të vijuar më pas me fazat e tjera të plehërimit dhe vaditjes. Pauza që ka servirur ekipi kombëtar dhe ajo e Botërorit do të bëjë mirë për këtë proces, me skuadrën, që sfidën e radhës e ka me Erzenin.
Nuk ka ende një datë fikse kur do të luhet në “Niko Dovana”, por e sigurt është që deri në mes të muajit dhjetor fusha do të jetë 100% gati. Teuta-Erzeni është ndeshja që mbyll edhe 12 javët e para të Superiores, por siç dihet, stadiumi është në proces pune, kështu që dhe sfida derbi do të luhet jashtë Durrësit. Kjo sfidë, që në program është të shtunën e ardhshme në orën 13:00, do të luhet në Rrogozhinë.
Teuta ka rinisur përgatitjet ku urrsakët nën drejtimin e trajnerit Bledi Shkëmbi dhe stafit teknik kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore. Ekipi është stërvitur normalisht dhe grupi është në gjendje optimale. Lorenco Vila, Albion Marku, dhe Artan Jazxhi janë të përzgjedhurit në seleksionimin kuqezi të ekipit tonë kombëtar. Vila dhe Marku ishin pjesë e listës së Edi Rejës edhe me Arabinë, ndërkohë këtë here me Katarin, u shtua edhe mbrojtësi Artan Jazxhi. Ashtu siç dihet tashmë, Kategoria Superiore është ndërprerë për t’i lënë vend angazhimit të skuadrës përfaqësuese.
Pikërisht për shkak të kësaj ndërprerjeje, në klubin e Teutës kanë kohën e nevojshme ta përgatisin me qetësi duelin ndaj Ereznit. Është menduar që këto ditë do t’u shërbejnë për mirë, pasi Qaqi dhe Çyrbja mund të përfitojnë që të rikthehen nga dëmtimi. Mbrojtësi Qaqi vuan nga një tërheqje në kofshën e këmbës dhe logjikisht i duhet kohë për t’u rikuperuar. Mbetet për t’u parë nëse lojtari mund të jetë gati për ndeshjen me Erzenin. I padisponueshëm këtë javë ka qenë mesfushori Arbër Çyrbja, i cili është drejt riaftësimit dhe është stërvitur me grupin.