TIRANË, 30 prill 2013 – Nis nga puna komisioni hetimor për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të incidentit të datës 24 prill 2013 pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës, mes kreut të Partisë Socialiste Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka.

Komisioni ka nisur punimet pa prezencën e përfaqësuesve të opozitës. Në fillim të mbledhjes së komisionit, kreu i tij, Fatbardh Kadilli, i cili tha se në Vjenë është cënuar dinjiteti i një diplomati shqiptar dhe për këtë ky komision zotohet se do zbardhë të vërtetën. 

“Do bëjmë hetim të plotë të thellë e të paanshëm. Ky incident kapërcen kufijtë e një incidenti, është cënuar dinjiteti i jo vetëm një diplomati, por edhe i Shqipërisë në opinionin ndërkombëtar”, tha ai. 

Duke qënë se opozita nuk kishte dërguar përfaqësues në komision, kryetari Kadilli siguroi këtë forcë por edhe Edi Ramën për një hetim të përgjegjshëm që ka si qëllim vetëm nxjerrjen në pah të së vërtetës. 

Luciano Boçi dhe Osman Metalla kërkuan përshpejtimin e punimeve të komisionit për shkak se siç theksuan ata dhe pak ditë dhe Parlamenti mbyll punimet. 

Pritet që më 20 maj ky komision të miratojë raportin përfundimtar. 

/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/