TIRANE- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani, dha sot në mesditë në mjediset e Presidencës pritjen tradicionale me rastin e festave të fundvitit për përfaqësuesit e mediave shqiptare.

Kryetari i Shtetit shqiptar, duke i uruar të pranishmëve një fillim të mbarë për vitin e ardhshëm, u shprehu mirënjohjen institucionale për kontributin e madh të dhënë nga mediat gjatë vitit, duke i vlerësuar si kontribues të përparimit.

"E them me bindjen e madhe dhe besimin e plotë, që përcjell edhe perceptimin e çdo qytetari të këtij vendi, që keni qenë dhe ju kontribues kryesorë të përparimit, të maturimit dhe të zhvillimit, të kulturës së gjithë shoqërisë sonë, duke vendosur edhe një gur tjetër në ecjen përpara të shoqërisë sonë, e cila e ka të nevojshme si çdo shoqëri tjetër në botë bashkëpunimin, praninë, kontributin e medias dhe njerëzve të medias si dhe të atyre që e përkrahin median",- u shpreh Presidenti Nishani.

Kreu i Shtetit i inkurajoi përfaqësuesit e medias që të jenë gjithmonë e më shumë aktivë, gjithmonë e më shumë kritikë në mënyrë që shoqëria shqiptare të jetë gjithmonë në nivelin që meriton të ketë një shoqëri ambicioze për të ardhmen e saj dinamike në jetën shoqërore, politike, sociale, kulturore të vendit.

Në vijim të fjalës të tij, Presidenti Nishani e cilësoi median një promotore, mbështetëse, inkurajuese dhe evidentuese të sfidave të qenësishme me të cilat do të përballet shoqëria shqiptare. "Personalisht do të dëshiroja të kisha bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë, pikërisht njerëzit e medias, në kontekstin e gjykimit, vlerësimit, analizës, adresimit të të gjithë problematikave, çështjeve, shqetësimeve, të të gjitha aspekteve të shoqërisë sonë",- tha kreu i shtetit Nishani.