TIRANE- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nëpërmjet një mesazhi dërguar Presidentit amerikan Barack Obama, shpreh ndjenjën e solidaritetit dhe ngushëllimet për viktimat në Shkollën “Sandy Hook Elementary” të qytetit Newton në Connecticut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Me një tronditje dhe hidhërim të madh kam mësuar për ngjarjen tragjike në qytetin e Newtown të Connecticut, ku në shkollën “Sandy Hook Elementary”, kanë humbur jetën 26 qytetarë amerikanë, midis tyre dhe 20 fëmijë të pafajshëm! Më lejoni Shkëlqesia Juaj, që për këtë ngjarje tragjike që tronditi popullin mik amerikan dhe të gjithë botën, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh Juve, familjeve të viktimave, si dhe popullit amerikan, ngushëllimet më të ndjera. 

Fatkeqësisht, në këto raste vuajtja është aq e thellë sa që fjalët nuk mund të shprehin dot atë që ndodh. Na mbetet vetëm të shpresojmë që gjëra të tilla nuk do të ndodhin më në shoqërinë njerëzore, e cila po përpiqet gjithmonë e më shumë të përparojë dhe nuk duhet të bjerë kurrë në nivele të tilla tmerri. Duke shprehur dhe një herë ngushëllimet e mia të sinqerta si dhe ato të familjes sime, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, ndjenjat e solidaritetit të popullit shqiptar me popullin amerikan!” – theksohet në mesazhin e Presidentit Nishani.