Forumi Rinor i PD-së dhe ai i LSI-së kanë protestuar dhe këtë të hënë pasdite përballë zyrës së Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, por kësaj here ka patur dhe një mesazh për kryeministrin Rama.

Të rinjtë e PD e LSI-së i kanë prerë një “biletë” Shqipëri-Kolumbi kryeministrit Rama, në shenjë simbolike për lidhjen e tij me drogën.

Ndërkohë më tutje të rinjtë i janë drejtuar kryeministrisë dhe aty ka patur një sërtë përplasjesh mes tyre dhe policisë. Në protestë kanë qenë dhe deputetë të djathtë.

“Forumi Rinor i Partisë Demokratike vijon intensivisht protestat kundër Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Qëndrimi i tij ende në detyrë është nje akt i paprecedentë. Vëllai i trafikantit ndërkombëtar të drogës Agron Xhafaj duhet të largohet nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme si subjekt i Ligjit Antimafia”, thuhet në një reagim të FRPD-së.

Protestat kanë nisur që muajin e kaluar dhe do te vijojne deri ne fund te ketij muaji, kur Shqiperia pret pergjigjen per marrjen ose jo te se drejtes per te hapur negociatat me BE-në.