Shkak për këtë analizë u bë një ngjarje e përjetuar, jo njëherë, por disa herë në qytetin e Beratit. Aty në Pedonalen kryesore, ku me qindra njerëz pinë kafe, binte në sy një veprim gati i përditshëm i disa policëve bashkiakë, të cilët shkonin pranë një tavoline ku shiste parfume dhe manikyra një grua hallexheshë. Hallexheshë si shumë qytetarë të këtij qyteti halleshumë. Nuk bëhej fjalë për ndonjë veprim të jashtëligjshëm të saj, përveçse kjo zonjë, kishte gjetur një copë punë për t’u çuar fëmijëve të saj një copë bukë. Deri këtu gjithçka duket se nuk ka ndonjë problem për të hapur probleme të tjera. Jo, nëse gjykojmë se njerëzit në këtë qytet kanë probleme me hallet e tyre, gjithçka ka të bëjë me mungesën totale të punës.
Të asaj pune për të cilën kemi nevojë më shumë se ndonjëherë. Mirëpo këtu nis edhe kontrasti midis të pasurve dhe të varfërve. Të thuash që në Berat nuk ka varfëri, është njësoj sikur të thuash që Kombinati i Tekstileve funksionon normalisht, gjë që nuk është e vërtetë. Në dialogun e saj me policinë, të cilët nuk kanë asnjë faj, pasi ata veprojnë me urdhër të atyre që jo nuk e njohin copën e punës, por marrin rroga për tre deri në katër punë. Ajo zonja, e cila mban me bukë familjen, qetësisht iu kujtoi policëve se do të largohej nëse titullari i tyre do t’i garantonte një copë punë për të siguruar një copë bukë. Pra, me të drejtë ajo kërkoi një kontratë ligjore mes vetes dhe Bashkisë.
E bindur se puna në këtë qytet është bërë “lanet” për vite me radhë, zonja hallexheshë, e dinte se kjo nuk do të ndodhte, ndaj filozofoi para njerëzve të ligjit filozofinë reale: Më jepni një copë punë për një copë bukë…!
Pikërisht barbaria me punën nis dhe mbaron me barbarinë që u bë ndaj ish-Kombinatit të Tekstileve, kombinat që në vitet e sistemit socialist kishte mbi 12 mijë punëtorë, pra, më shumë se një pjesëtar familje, që do të thoshte se askush nuk ankohej për një copë bukë. Dhe a e dini se sa u shit ky Kombinat gjigant për kohën? Troç sa për një copë bukë. Edhe dera kryesore e hyrjes nuk kushtonte aq sa u ble kjo industri moderne për kohën. Nejse kjo është tjetër histori, ndaj le të kthehemi edhe njëherë te problemi i asaj “cope pune” me shpresën që të kemi “një copë bukë”.
Papunësia ka prodhuar dhe vijon të prodhojë çdo ditë varfëri deri të tejskajshme në qytetin e Beratit. Nuk e konfirmojë dot për fshatrat, por për qytetin dal garant. Janë me qindra familje që nuk mund të sigurojnë asnjë të ardhur ekonomike, jo sepse nuk duan të punojnë, por askush nuk ju garanton atë “copën e punës”, për të cilën beratasit kanë shumë nevojë.
Një njeri i mençur, plak i vuajtur në të gjitha qeveritë shqiptare, përfshi edhe atë të Mbretit Zog, më ka lënë një amanet filozofik, të cilin dua ta bëjë publik në këtë shkrim. “Dëgjo e mos harro, më ka thënë ky plak i ditur, se në këtë botë jallane dy duhet të kesh dhe mbash mik për kokë: Atë që të mban në punë dhe të siguron bukën e përditshme dhe atë që të heq vajzën nga shtëpia!”. Nëse kjo pjesa e dytë është disi patriarkale, kjo ka të bëjë me mentalitetin e kohës që ky njeri ka jetuar, ndërsa pjesa e punës është fiks fare thënie filozofike për kohën që jetojmë sot.
Të gjesh një punë, jo është e vështirë, por me gojën plot duhet pranuar që është e pamundur. Tashmë as miku dhe paraja nuk pinë më ujë. Të fillosh një punë duhet ta kesh mirë me partinë, sidomos me atë parti që është në pushtet në të kundërtën shko e lutu tek dera e zyrave me refrenin: Më jepni një copë punë që të sigurojë një copë bukë! Nuk të kërkojnë shumë dokumente, nëse ke në dorë dokumentin e parë dhe pse jo të vetëm, teserën e partisë dhe në raste të tilla edhe mund ta gjesh një copë punë. Pra puna është bërë copë – copë dhe që të sigurosh atë duhet të jesh ose mik i të fortëve, ose ushtar i bindur i partisë që drejton zyrat e shtetit. Kjo është kaq e vërtetë së gjithçka mund të ketë ndryshuar në administratën shtetërore lokale, përveç faktit që shefat e djeshëm të kuadrit që sot janë zëvendësuar nga shefat e Burimeve Njerëzore, nuk janë as më shumë e as më pak: militantë të besuar të partisë në pushtet. Edhe dje ishin me shkollë partie, edhe sot janë me teserë partie!
Pikërisht ky kriter i mungonte asaj zonjës që ka gjetur një punë ose siç kanë qejf ta quajnë zyrtarët të vetëpunësohej, ndaj dhe kontrata mes saj dhe pushtetit mbetet në ajër.
Kush nuk ka premtuar për Beratin se do të hapen kaq e aq vende pune, por deri më tani janë hapur vetëm pak fasone ku janë punësuar një tufë grash që shfrytëzohen deri në palcë për të siguruar vetëm atë copën e bukës. Nëse kjo politikë antipunësim, do të kishte ndërtuar një strategji tjetër punësimi, në kuptimin që të kishte mbajtur në punë, me fuqi punëtore të reduktuar, jo 12 mijë po 2000 punëtorë në Kombinatin e Tekstileve, sot në këtë qytet nuk do të kishte lutje të tipit mesjetar” Me jepni një copë punë, që të sigurojë një copë bukë…A thua se jetojmë kohën migjeniane!
Nga Rushan Dosti/ Gazeta “Sot”





