Mbi kodrat e buta të fshatit Shkallnur, vetëm 2 km larg nga rruga nacionale Plepa – Ndroq, gjendet ferma më e re “Pema e jetës”, investim serioz i familjes Bujari. Shijimi i peisazhit të mrekullueshëm rural, frymëmarrja në ajër të pastër, ushqimet organike e të shëndetshme krahinore, ndjesia e qetësisë së thellë e përjetuar kur bashkohesh me natyrën dhe koha aq e nevojshme e kaluar me familjen, janë vetëm disa nga shumë të mirat e agro-turizmit. Vreshtat e rrushit, ullinjtë, drurët frutorë, janë kurora e hijeshisë së fermës së kafshëve dhe shpendëve, që rriten aty mes lëndinave të gjelbra dhe korijeve të fshatit.
Dorarti është adminstratori 27-vjeçar i fermës. Ai përfundoi studimet për marrëdhënie ndërkombëtare në Londër shkëlqyeshëm, 5 vjet më pare, në të njëjtën periudhë që familja e tij nisi ndërtimin e një shtëpie në fshat. Kjo shtëpi në fshat u bë edhe pasioni kryesor i të gjithë familjes, e cila në këtë periudhë mbolli mbi 6 mijë drurë frutorë. Më i rëndësishmi i këtyre drurëve është pema goce, frutat e së cilës janë edhe antioksidantët më të fuqishëm të frutave. 150 rrënjët e para mbërritën nga Kina e largët e më pas numri i tyre shkoi në 250. Këto bimë, që të rriten e të prodhojnë frutat, duan një kujdes të vecantë.
Këtu të gjithë turistët kanë mundësinë të shijojnë çdo prodhim organik. Tre stalla të ndara, një për lopët dhe viçat, një për qingjat dhe kecat, e një për derrat, janë në shërbim të restorantit.
Dorart Bujari tregon se me sa pasion punohet në rritjen e kafshëve e shtimit të shpendëve, të cilat përdoren për të gjithë klientët. Midis lëndinave të gjelbra, një kënd të veçantë kanë fëmijët. Fwmijët kanë mundësinë jo vetëm të argëtohen mes lodrave të ndërtuara për ta, për të cilët është në dispozicion edhe një edukatore që të argëtohen me kafshët, me kecat, qingjat, lepujt.
Këtu gjithçka është organike. Klientët kanë mundësinë që pasi të kenë drekuar, të mbledhin vetë frutat nga pemët, nëse duan të marrin për në shtëpitë e tyre. 20 punëtorë ditorë janë të punësuar këtu në fermën e kafshëve, në punimet e tokws e në mirëmbajtjen e 6 mijë drurëve frutorë. Në stinë me shumë punë merren punëtorë edhe më shumë. Punësimi i specialistëve të mirëfilltë ka qenë shumë i vështirë, pasi ata janw tw vwshtirw për t’u gjetur. Ata janë gjetur në shtetin italian.
Frutat e stinës janë duke u pjekur e një pjesë janë shtruar në tavolinat e restorantit. Ashtu si pjesa tjetër që vjen e konservuar tradicionalisht në mënyrë organike. Ferma përdor një cikël të mbyllur ku çdo prodhim që vjen nga toka është në funksion të klientëve. Në këtë stinë janë pjekur fiqtë, pjeshkët, kumbullat në disa varietete, prodhimet e qumështit dhe djathi bëhen vetë, ashtu sikurse nga rrushi i fermës vjen vera e rakia.
Klientët janë të shumtë. Gjithkush që vjen një herë vjen sërish me njerëz të tjerë. Menuja e pasur, e kombinuar midis gatimeve tradicionale, me bazw mishin e kecit, rostove të viçit, shpendëve të freskëta apo lepujve të kombinuara me salcat e ndryshme dhe me gatime të kuzhinës italiane e kanë kthyer restorantin në një vend takimi të bukur mes miqsh. Çdo fundjavë, klientët kanë mundësi të jenë nën shoqërinë e muzikës live. Nënproduktet e qumështit, prodhimi i djathit kaçkavall, mozarellat e ndryshme prodhohen po këtu nga specialistët italianë.
Pronari i fermës i cili është edhe me shumë shije të hollë, bashkëpunoi me disa miq italianë, të cilët i siguruan edhe fuqinë e specialistëve të mirëfilltë italianë në mirëfunksionimin e një ferme organike. Specialistët italianë kanë ardhur të jetojnë në Shqipëri, duke sjellë edhe përvojën e tyre duke u punwsuar në kuzhinë, në përgatitjen e prodhimeve të qumështit, të prodhimit të verës, konservimit të frutave e perimeve të freskëta për dimër etj,
Ferma “Pema e Jetës” ka mundësinë të ta ofrojë të gjithë këtë. Agro-turizmi po shndërrohet gjerësisht në një mënyrë të kalimit të kohës, duke ofruar larmi aktivitetesh dhe përvojash që nga pjesëmarrja në ritualet e ushqimit që ngacmojnë shijet, qoftë ato për sythat e bimët e egra apo për verërat e ndryshme, duke qenë se agroturizmi përcaktohet gjerësisht si lloji i veprimtarisë agro-kulturore që do t’i tërhiqte njerëzit dhe do t’i bënte ata të vizitonin fermën apo çdo vend larg qendrave urbane.
Në këtë fermë çdokush ka mundësinë të bëjë realitet, ëndrrën, “zgjidhe vetë frutin dhe zarzavaten tënde”, për të zgjedhur secili, kungullin e vet, misrin e vet, mollën e vet apo edhe pjeshkët e veta për tavolinën personale. Ashtu si në Greqi dhe Itali, ku shumë fermerë ofrojnë përvojë unike duke lejuar njerëzit në vjeljen e ullinjve dhe rrushit, me anë të metodave të vjetra të vjeljes dhe pjesëmarrjen në ritualet tradicionale të bërjes së vajit e verës.
Ndjekim reportazhin në fermën “Pema e Jetës”:
K.H.





