Nga Ardi Omeri*
-S’ka mundësi. Ja mbylle të flas e të marr vesh ç’ka ndodhur.
Doktoresha, një bjonde shtat lartë, pasi formoi një numër foli:
-Më telefonoi një mike dhe ankohet se ka dy orë në urgjencë dhe asnjë nuk e prek me dorë.
Po, vazhdo të dëgjoj. Ok. Pa merak, punë të mbarë dhe më fal që te ndërpreva.
Doktoresha mbylli biseden me te dhe rimori miken e saj.
Dëgjo Shpresa. Në repart më thanë që ke dhjetë minuta dhe të kanë vizituar. Nuk ka asgjë urgjente dhe do presësh të mbarojnë me rastet urgjente e më pas do të vizitojë përsëri specialisti. Nuk ke përse bën alarme kot.
Doktoresha mbylli telefonin dhe në fytyrë u kuptua që bashkëbiseduesja po vazhdonte ta bezdiste.
Në korridorin e repartit të kardiologjisë, dëgjova këtë bisedë. Ishte drejtoresha e spitalit rajonal Durrës, zonja Nadire Jani, e shoqëruar nga kryeinfermierja dhe dy doktoresha të tjera, që po komunikonte me dikë në tel. Një mike e saj me sa kuptova.
Imagjinova shoqen e saj në urgjencë dhe mentalitetin shqiptar që i duam të gjitha shpejt, mirë dhe mundësisht me temenara nëse kemi mik drejtuesin e një institucioni, dhe meqë në këtë rast e kishin trajtuar si të gjithë qytetarët e tjerë ajo ishte revoltuar.
Isha në atë repart për të takuar mjeshtrin e boksit shqiptar Selim Bardhetin që ishte shtruar për të kuruar disa probleme në zemër. Reparti i kardiologjisë, ashtu si edhe tre katet e tjera ishin perfekt. Të pastër me korridore që shkëlqenin, me ajër të kondicionuar.
Selimin e gjej të shtrirë. Ishte orari i vizitave dhe reparti ishte plot me vizitorë. Ne shqiptarët një sëmuret njëqind vetë “regjistrojnë emrin për qokë”. Qokat alla shqiptare që i ndesh në martesa, në sëmundje e në vdekje. Edhe kur të sëmurin nuk e kanë takuar asnjë herë gjatë gjithë vitit, kur dikush shtrohet, njerëzit shkojnë bëjnë qokën.
Me Selimin fola për sportin, për eksperiencën e tij sportive, rekordet e shumta dhe kontributin që jep aktualisht në boks. Një reportash, profil që tashmë ja kemi vënë si detyrë vetes në televizionin Ntv ku punoj. Të pasqyrojmë vlerat ndër vite të bashkëqytetarëve tanë, ata që kanë kontribuar dhe Selimi është një ndër to.
-Selim të paska lënë zemra,- i thashë duke qeshur në përfundim të bisedës.
-Po Ard, kam ca kohë që vuaj. Kam qenë i shtruar edhe në Tiranë edhe jashtë në Itali. Por këtu kam gjet karar. Në Durrës, ku nuk e besoja, po më kurojnë shumë mirë.
-Si janë kushtet këtu, e pyes me “dobiçllëk”. Doja të dija nga një mik përshtypjet e tij pas disa debateve që fliten nëpër qytetarë, se nuk ka kushte se shëndetësia ka probleme etj. Pa folur për thashethemet e korrupsioneve, që në fakt janë gjëra që nuk mund t’i përgjithësosh e duhet të jesh prezent që t’i vërtetosh.
-Nuk e kisha imagjinuar që spitali i Durrësit do të ishte kaq i mirë, i pastër, i rregullt, me ushqim shumë të mirë, me ajër të kondicionuar, me pastërti shembullore si në ambiente kolektive dhe në krevate personale. Kam qenë në Tiranë (dhe më tregoi emrin e spitalit), por aty pastruesja lante banjën e po me atë leçkë kalonte nëpër dhomë e më pas në korridore. Turp se njerëzit shkojnë atje për t’u shëruar,- Selimi fliste i revoltuar.
Ndërsa këtu më ngjan si në Itali, madje më mirë se atje.
Pasi mbarova me Selimin kalova nëpër korridore mes njerëzve të shumtë vizitorë.
Vendosa të dal nga urgjenca. Isha kurioz të shoh si ishte situata atje ku mikja e doktoreshë Nadires ankohej se “nuk e preknin me dorë”
Urgjenca në pamje të parë të ofronte:- Një ambulancë tek dera e urgjencës, më pas një roje private dhe salla e pritjes. Në një kënd sporteli me dy infermierë dhe më tej një derë tjetër ku qëndronte në këmbë një roje tjetër private që grindej me njerëzit që kërkonin të hynin në sallën e urgjencës tek familjarët a miq të e tyre. Disa edhe hynin e në fakt nëpër shtretërit e urgjencës, në distancë, pashë familjarë që rrinin në korridor. Infermierë e doktorë që kalonin mes tyre për të bërë vizitat. Qesha me vete ndërsa mu kujtua një thenie e popullit. Një martohet njëqind tërbohen. E njëjta situatë për të sëmurët e më keq siç e thashë më lart kur vdesin.
Ne jemi o shumë të dashur o shumë hipokritë, por një gjë është e sigurtë: Ky spital ishte në kushte shumë të mira falë punës së këtyre mjekëve e infermierëve që punojnë këtu por mentaliteti i shqiptarëve që nuk kanë edukatën e punës ia bën më të vështirë profesionin e tyre fisnik.
*Komenti është qëndrim i autorit dhe jo i redaksisë së DurrësLajm