*Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun, e dhunë mbrapa kurr s’i mbetun, Kur ka lidhë besën burri Shqipnisë, i ka shti dridhen gjithë Rumelisë, ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra, me faqe t’bardhë gjithmon është da. (Pashko Vasa)
Jeta është e bukur dhe çdo njeri duhet ta jetojë, ajo është dhurata e zotit më e çmuara dhe askush nuk ka të drejtë t’ja marrë, zoti t’a jep, zoti t’a merr. Ai që vret quhet Vrasës, si i tillë duhet të Vritet. Ky është ligj.
Në ora 13,00 të datës 13 qershorit 1920, Gjenerali Shqiptar, Esat Pashë Toptani, mik i Francës dhe i aleatëve, u vra nga një bashkatdhetar i tij, studenti Avni Rustemi, përpara hotel Continental, “Rue Castiglianë”, atentatori e ka qëlluar 2-3 herë me revolver nga një distancë shumë e afërt, madje dhe në prani të shefit të policisë së Parisit, të cilin i ndjeri e kishte mik. Është vrarë një personalitet shqiptar, mik i Francës dhe i aleatëve, ushtarak i lartë dhe politikan shum i mirë.
Shqiptarët nuk janë vrasës, janë aq burra sa të mos vrasin me dredhi e me mashtrime, ata nuk do ta vrisnin kurrë gjeneralin e madh të luftës së Shkodrës, i vetmi vilajet nga katër të tillë që i mbeti Shqipërisë falë luftës dhe udhëheqjes së hekurt ushtarake të gjeneral Esat Pashë Toptanit, – Si mundet të mendojmë që e mashtruan për ta vrarë dhe kush, vetë shqiptarët, Avni Rustemi? Kështu e shprehin trimërinë Avni Rustemi, pas krahëve, me mashtrime e pusi kaq të ulta, vret një gjeneral të pafajshëm shqiptar? A nuk ia prezantoi gjeneral Toptani, me qëndrimin, luftën dhe guximin e tij Shqipërinë të gjithë botës? A nuk u bë armik i Turqisë dhe madje u dënua me vdekje në të gjithë botën myslimane sepse mbrojti vendin e tij, sepse u rrjeshtua përkrahë antantës e luftoi deri në fund? Unë nuk kam të drejtë të barazoj një popull me një vrasës me pages, por jam kaq i trishtuar, kaq i ligështuar sa tani për mua kushdo që mban emrin shqiptar është fajtor dhe po kaq tradhtar.
Nuk kam dëshirë të komentoj mbi gjithë kalvarin e gjatë “post-mortum” që u përfol kaq shumë, mbi motivet e vrasjes së gjeneral Toptanit, gjyqit të vrasësit në Paris, lirimit të tij, autopsisë mjeko-ligjore të gjeneral Toptanit, e cila hedh poshtë gjithçka që është thënë deri tani, pritjes së vrasësit Avni Rustemi me nderime në vendin e origjinës e shumë aludimeve të tjera, që i përkasin një romani policesk, për mënyrën si janë paramenduar dhe servirur ngjarjet. Një vrasës si A. Rustemi i paguar, nga qeveria e mbretëria shqiptare, që pritet si hero në Shqipëri dhe nis menjeherë karrierën politike (çmimi i fituar në këmbim të aktit të kryer), është ajo që meriton një popull, që nxjerr të tillë “trima”, të tillë siç ka treguar historia në mbarë Europën, nuk e kanë as jetën dhe as karrierën e gjatë, sepse kur e ndërton me prapaskena, tradhti, blerje-shitje e vrasje, çfarë mund të presësh tjetër në këmbim? Avni Rustemi u prit në Shqipëri si hero, se vrau gjeneral Esat Pashë Toptanin, në fakt u la i lirë nga Gjykata Franceze, sepse autopsia dhe dëshmitarët e pranishëm në vendngjarje treguan të kundërtën. A e kuptuan njerëzit se asnjë Gjykatë Franceze nuk do të linte kurrë të lirë një vrasës, kushdo që të ishte ai, por vetëm atëhere nëse ai nuk do të ishte vrasësi i vërtetë? Madje dhe Avni Rustemi në gjyq tha se nuk e kishte vrarë gjeneral Toptanin. E në fakt, si mund ta kishte vrarë, kur plumbat që i sollën vdekjen ishin shtënë pas kurrizit dhe jo përballë, ku qëndronte A. Rustemi i pafajshëm. Gjeneral Esat Pashë Toptani, siç e vërtetoi dhe autopsia, dhe analiza mjeko-ligjore nuk u vra nga A. Rutemi, siç pretendohet, por nga dikush tjetër, që nuk ishte përballë tij. A. Rustemi shërbeu vetem si karremi i përkryer, si student shqiptar që kishte nevojë për ndihmë dhe Gjeneral Toptani u afrua ta ndihmonte në gjithçka, si shqiptar. Vrasësi i supozuar u la i lirë dhe ai i vërteti në Tiranë, nuk u gjet kurë, siç ndodh rëndom në vrasësit me prapaskena dhe motive politike. Kjo i shërbente si mbretërisë shqiptare por edhe Italisë, që tashmë e konsideronte Esat Pashë Toptanin si armik të betuar të tyre, u shërbente të gjithëve që i kishin borxh gjeneral Esatit luftën heroike në përkrahje të forcave të Antantës Trepalëshe.
Këtë vrasje të mirëfilltë politike e kanë gatuar ata që nuk kanë asnjë interes t’i shkojnë të vërtetës deri në fund, por kanë vetëm një qëllim, marrjen e pushtetit me grusht shteti, Vrasje!… Kur vetë qeveria shqiptare nuk dëshiroj t’i shkojnë deri në fund të vërtetës, përse duhet të Kujdesen Europianët?…
Qeveria shqiptare nuk e mori trupin e tij për ta varrosur në tokën për të cilën luftoi dhe e mbrojti, por e lanë pa varr, në një vend të huaj për ta, por për gjeneral Esatin që Franca e konsideroi mik atëherë dhe tani prehet në Vorrezat e Ushtarakëve Serbë në Francë.
Familja e ngushtë e të ndjerit gjeneral Toptanin bëri tentativat e saj për të sjellë trupin e tij, të prehet në Shqipëri. Madje, Gjeneral Esat Pashë Toptani u balsamos nga një shoqëri funeralësh në Paris. Nga familja iu kërkua lejë përfaqësisë shqiptare për të transportuar trupin e tij në Tiranë, ku familjarët e tij e prisnin për një varrim të denjë. Por trupi i tij nuk u (muar), dërgua në Shqipëri. Në këtë rast qeveria shqiptare tregoi vlerat e saj, jetonim gjoja në demokraci tridhjet-vjeçare, janë rehabilituar kriminelët e kombit, bile ju vendosen dhe lapidar, ndërsa për gjeneral Toptanin jo! Nuk u mjaftuan me fatin tragjik të tij, por nuk iu ndanë edhe për së vdekuri. Atentat për së gjalli dhe atentat për së vdekuri.
Tashmë zotrinjë levantin dhe ju zotrinjë historian, ai atentat i bëhet Historisë Kombëtare të Shqiptarëve.
Të gjitha këto tregojnë si respektojnë traditat dhe zakonet e tyre?! Për të cilat vetë gjeneral Toptani ishte krenar. Për plotësimin e amaneteve të të parëve, për mbajtjen e besës, për nderimin e të vdekurve, nderimin e luftëtarëve të lirisë, nderimin e familjes e familjarëve. Ende gjeneral Toptanin e konsiderojnë tradhtar sepse ndihmoi serbët gjatë luftës, kur si serbët dhe si shqiptarët ishin pozicionuar në favor të “Antantës Trepalëshe”, e askush nuk u referohet dokumenteve të ministrisë së luftës së Francës, në të cilat shkruhej qartë se çfarë iu kërkua gjeneral Esat Pashë Toptanit nga Franca, si aleati kryesor në luftë. Ku i kërkohej gjeneral Toptanit si aleat të shpëtojë ushtrinë serbe dhe t’i lejojë ata të kalojnë nëpër tokën shqiptare.
Nuk ishte faji i gjeneral Toptanit nëse edhe serbët ishin pozicionuar përkrah aleatëve fitues, dhe as faji i tij nëse gjendej në të njëjtin krah papritur me armiqët e vjetër të Shqipërisë, në përkrahje të një kauze akoma më të madhe. A duhet të mendoj se vrasja e general Toptanit ishte vetëm politike? A mund të ketë diçka më shumë se kaq? A do t’i shkojnë ndonjëherë shqiptarët deri në fund vrasjes së saj, të paktën për të treguar besnikërinë ndaj drejtësisë. Cilët shqiptarë në fakt, ata që e vranë apo ata që e lanë pa varr?… Familjen e tij të madhe, me kaq burra të fisëm patriotw e të kulturuar në radhët e saj, sa shumë ia përbaltën figurën shqiptarët, a thua se gjeneral Esati e keqja prej së cilës nuk po mundnin dot të lulëzonin në begati? Po sot, përse vazhdojnë ende të vriten, mes tyre? Përse vazhdon urrejtja, baltosja, shpifja, e keqia, neopotizmi, ndarja krahinore, vëllavrasja në vendin tonë, kush e kush të marrë pushtetin nëpërmjet dhunës e luftës? E jo në mënyrë demokratike? I binduri bëhet i pabindur nga padrejtësia që i bëhet dhe varfëria e tejskajshme.
Europa nuk zgjodhi të mbështesë shqiptarët as në Konferencën e Paqes dhe këtë e tregoi qartë dhe hapur. Po të mos kishte qenë ndërhyrja e presidentit amerikan Willson, sot nuk do të kishte më Shqipëri. Askush nga shqipëtarët nuk e ka përmendur rëndësinë e takimit të presidentit amerikan Willson me gjeneral Esat Pashë Toptanin dhe as rëndësinë e takimeve të shpeshta me të dërguarit e presidentit Willson në Paris, Stephen Bonal, i cili ka treguar qartë kush ishte gjeneral Toptani dhe çfarë ishte në gjendje të bënte për Shqipërinë dhe lirinë e saj. Takime këto, që patën impakt të veçantë për vendosjen e fatit të mëvonshëm të Shqipërisë.
Madje Esat Pashë Toptani e kërkoi hapur në konferencën e paqes, praninë amerikane në ballkan dhe mbrojtjen që kërkonte Shqipëria prej SHBA-së, që i kushtoi atij personalisht armiqësinë me të gjithë Europën, sepse askush nuk dëshironte praninë amerikane në Ballkan, pikërisht në këtë kohë.
Kombi tonë, duke i nisur proceset demokratike me vrasje të mirëfillta politike, duke vazhduar edhe sot e gjithë ditën me dhunë e luftë të brendshme ndërmjet tyre, edhe një herë tregojmë se jemi Orient e jo Europjan, se levantinët tanë politik janë të prapambetur e jo mendjehapur, se janë të lashtë siç i tregon historia por kanë mbetur aty. Përse Europa moderne duhet të kuptojë se ç’kanë qene shqiptarët, kur ne me njeri-tjetrin po tregojmë se çfarë jemi?
Kur gjeneral Toptani pranoi ftesën për të qenë pjesë e qeverisë së Vlorës, ai u prit në Vlorë prej Ismail Qemalit si heroi që mbrojti Shkodrën dhe qëndroi në krye të luftës deri në fund. Por pas largimit të tij nga kjo qeveri, gjeneral Toptanin filluan ta sulmonin e ta quanin tradhtar.
Tradhtar përse mbrojti Shkodrën? Dhe luftoi deri në fund, kur ata që e akuzonin rrinin nën hije duke kuvenduar? Mjafton të përmend librin “Lufta e Shkodrës” të francezëve Jerame dhe Jean Tharand (Paris 1913) dhe dëshminë e korespondetit Italian të luftës Gino Berri, për të mos pasur ende paqartësi, se i u zhvillua dhe përfundoi Lufta e Shkodrës. Shkodra u mbrojt si pak qytete në histori. Ky qytet nuk u mund aspak. Shkodra u dorëzua përpara urisë e sëmundjeve, mbarimit të municioneve, ushqimeve, mjekimeve, por jo ushtrisë kundërshtare. Nga të gjithë qytetet e krahinat e tjera shqiptare, Shkodra është i vetmi qytet që Shqipëria nuk e humbi, sot Shkodra është Shqipëri ku është Janina sot, Manastiri, Sanxhaku e shumë e shumë qytete të tjera që nuk kanë më emrin Shqipëri? Një njeri si gjeneral Toptani që ishte aq i pasur nga trashëgimia e tij familjare dhe prej karrierës së tij ushtarake, për sa para do ta shesin vendin e tij vallë? Sa para mund të kenë paguar serbët apo malazezët gjeneral Toptanin, për ta blerë emrin e tij? Pjesa e pamoralshme është gënjeshtra dhe shpifja, e cila vetëm helmon të vërtetën, sa çudi që shumë njerëz zgjedhin t’u besojnë fjalëve e mashtrimeev dhe jo veprave konkrete. Korrupsioni, urrejtja nga levantinët politik është në metodën e punës së tyre. po përse gënjeshtarëve iu besojnë kaq lehtë shqiptarët, kurse dokumenteve e korrespondencave të botuara në shtyp e kanë kaq të vështirë t’u besojnë? Sa qytete dhe kështjella në luftrat historike janë dorëzuar nga gjeneralë të shumtë, përpara pamundësisë për të vazhduar luftën dhe janë dorëzuar nën nderin e armëve, njësoj sikur ndodhi në Shkodër në përfundim të luftës?
Po përse nuk janë quajtur tradhtarë edhe ata që, ia dorëzuar Shkodrën Mehmetit osman pas rënies së Krujës?. Përse venecianët nuk janë akuzuar kurrë për tradhti me dorëzimin e tyre? Përse ne shqiptarët nuk marrim parasysh fakte të tilla përpara se të akuzjojmë? Për çfarë motivi duhet të vdisnin dhe ata pak njerëz të mbetur, brenda rrethimit në Shkodër, kur kishte fakte dy muaj që fuqitë e mëdha e kishin vendosur që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë dhe askush nuk mund ta kundërshtonte këtë fakt? Gjeneral Toptani si ushtarak i përmasave të mëdha, e dinte fare mirë se fati i Shkodrës ishte vendosur nga ndërkombë-tarët, por duhet të vazhdonte qëndresën së bashku me ushtrinë e tij, derisa të jepej Vendimi nga fuqitë e mëdha.
Thonë që njerëzit kur vdesin pushojnw vëertet së jetuari, por unë mendoj se, njerëzit vdesin atëhere kur nuk kujtohen më, atëhere kush askush nuk sjell ndërmend asgjë për ta, kur historia e tyre fshihet, mohohet. Të gjallët janë ata që kanë përgjegjësi për këtë. Historia e kombit tonë, një pjesë të rëndësishme e zë historia e toptanëve në përgjithësi dhe gjeneral Esat Pashë Toptanit në veçanti. Toptanët kanë nxjerrë njerëz të mëdhenj nga shpirti, të mëdhenj nga mendja, që i kanë dhënë shumë kombit, historia duhet t’i japë këtij fisi atë që i takon.
Është në nderin e kombit, qeverisë shqiptare që eshtrat e gjeneral Esat Pashë Toptanit të kthehen në atdhe e të vendosen në Vorrezat Nëna Shqipëri, pasi për të Shqipëria ka qenë nëna dhe ai ka qenë dhe është biri i saj, biri duhet të kthehet tek nëna?!…
Nga Doktori i Shkencave, Novruz Zejnati, Kolonel R.