Refleksione nga Bujar Qesja

Një vit pa Agronin! 12 muaj kaluan si pa u venë re, por ja që viti u mbush dhe është rasti më i mirë të kujtohet Agroni.

Në tërë rrugën time, veçanërisht si shkrues i letrave sportive, Agron Ismailati mbeti deri në fund, nga pikat e përhershme të referimit. Kjo nga rruga e gjatë dhe e pandërprerë në sportin e ujit, natyrisht edhe unë i pandarë nga pasioni dhe profesioni.

Veç kësaj Ismailatin e paharruar, e kisha edhe shok, edhe mik dhe nga kjo takoheshim përheri. Sa herë qe më shikonte më thonte: E Qesja, do rrimë pak! Hajde ulemi dhe pimë një kafe. Dhe flitnim për notin dhe notarët, për durrsakët tanë të shkëlqyer, një pjesë e të cilëve nuk jetonin. Flitnim për projektet për pishinën e ardhshme, për rizgjimin e notit në Durrës, e kështu minutat kalonin pa u ndjerë. Dhe në fund më thonte sërish: Ika Qesja, të ha pak bukë dhe më pas në stërvitje. Nuk kam kohë. Notarët me presin dhe duhet të jem në pishinë përkrah tyre. I kam ndjekur stërvitjet e tij dhe ajo që më bënte përshtypje, ishte dashuria e tij per notarët dhe notaret. I shikonte si fëmijet e tij, pasi i kishte rritur, i kishte mësuar notin por edhe kulturën qytetare dhe sportive.

Kapitull tjetër i artë i Ismailatit, ishte lidhja me prindërit e notarëve, duke krijuar një familje të stërmadhe. Kurrë më parë dhe as pas kësaj, zor se mund të gjëndet një njeri që mund t’i ofrohet e jo më ta zëvëndësoj Agronin, në këtë cilësi të jashtëzakonshme të tij. Ai nxiti një lloj krenarie dhe ambicje, për t’iu rikthyer traditës së famshme të notit, ku durrsakët bënin ligjin duke filluar që nga kampionati i parë në vitin 1931. Agron Ismailati mbetet njeriu, në krenarine e të cilit jemi përfshirë të gjithë, ku 60 vite nuk u tha njëherë, pasi ujët e detit dhe të pishinës mbeten vetë jeta e tij.

Sa e sa herë jemi kthyer nga Tirana, me një dyzinë kupash dhe dhjetra e dhjetra medalje. Mund të pohoj pa ngurrim, që në tërë lavdinë e klubit sportiv Teuta në sporte, noti i drejtuar nga Agron Ismailati ka merituar mbi 70 përqind të kupave. Edhe ky është një fakt që e pohoj dhe e konfirmoj publikisht për herë të parë. Dhe më parë, e jo më tani historia jonë e notit, nuk ka parë dhe zor se mund të shikoj, një 75 vjeçar me kronometër në dorë, për të bërë atë pra, notin e Durrësit. Dhe sa mbylli syte, miku im i përjetshëm, meraku për notin dhe notarët mbeti tejet i madh.

Agron Ismailati shkruajti me gërma të arta, historinë e notit të Lokomotivës së famshme dhe tash së fundi Teutës. Kohëzgjatja e tij në not dhe përparimet e arritura në rilindjen e notit durrsak në dy dhjetëvjeçarët e fundit, e bëjnë Ismailatin tonë violinën e parë të notit, melodinë e së cilës do ta dëgjojmë tërë kohën.

Na mungon Agroni! Sigurisht që na mungon. I mungon notit dhe notarëve. I mungon familjes, gruas, fëmijve dhe nipërve e mbesave. Na mungon edhe ne miqve dhe shokëve. Sa herë që shkoj nga pallati i sportit Ramazan Njala, atje ku edhe për 12 muaj do të kem vendin tim të punës, më bëhet sikur dikush më thërret. Një zë i afërt dhe shumë i mirpritur nga ana ime. Jo pa tronditje kthej kokën, duke besuar se ai që më thërriste ishte miku im i përjetshëm Agron Ismailati. Eh Qesja, do të shkojmë të pimë një kafe! E dija që kjo tashmë është kthyer në ngacmim psikologjik dhe jo pak tundues.

Për arsyje të një aktiviteti modest biznesi, që më angazhon krahas detyrës shtetërore, nuk e dija ditë më ditë se kur mikut im i përkujtohej një vjetori i largimit nga jeta. Zakonisht gjatë ditës lëviz vetëm në një segment rrugor dhe krejt papritur lexova lajmërimin përkujtimor të tij. Sigurisht që në atë vend qëndrova dhe mbajta frymën. U drodha dhe një ankth më pushtoi. Fotografia e qeshur e Agronit, m’u duk se më shikonte në sy dhe në çast dëgjova zërin e tij. Eh Qesja do të rrimë pak, të pimë një kafe! Po ti Agron, ti Agron…. Një lot më rrodhi për kujtimin e mikut tim, të paharruarin, vitalin, historikun Agron Ismailati. Po Agron! Do ta pimë një kafe si dikur. Për ditë më duket sikur e pimë kafen së bashku, në kujtim të një tradite. Do ta pimë sa të jem gjallë kafen së bashku. Është kafja e kujtimit, e mallit, e mos harresës për një shok e mik të veçantë.

I pashuar kujtimi yt Agron! Na ke lënë shumë gjëra për të të kujtuar, e për mos të harruar. Dhe gjithmonë do të më ngacmoj, thirrja dhe dëshira e jote: Eh Qesja, rrimë pak e flasim për notin! Po Agron! Do të flasim për notin dhe tashme edhe për ty. Të jap fjalën se nuk do të harroj. Ti mbetesh pjesë aktive e punës time dhe e kolegëve të mi. Ti je dhe mbetesh memoria e gjallë e jona, e durrsakëve dhe e notit. Përjetësisht përulësi punës dhe jetës tënde. Eh Qesja, do ta pimë një kafe………!