Gertjana Daçi
Një vit pa Xhuljetën….!
Sa e sa herë kam dashur të të shkruaj Xhuljetë.. Si je atje lart? Si e kalon ditën, natën? Ke ftohtë? Ke frikë? Je vetëm? Vallë të ka bezdisur dhe aty ku je ai që të largoi prej të gjallëve? Mbase ti i di pyetjet e mia por unë nuk do mund t'i di kurrë përgjigjet e tua…
Besoj se të ka marrë malli për kë le të pikëlluar por më mirë mos kërko të dish se ç’është bërë nga ne se dhe unë kam turp të të tregoj.
Po ja… Po e nis me 8 qershorin e vitit të kaluar. Ti e di… u nise gjithë ankth e stres për në shkollë se kishe provim dhe nuk mbërrite kurrë. Dy plumba, vetëm dy goditje nga një dorë e mallkuar të prenë ëndrrat në mes.
E kujtoj si tani atë mëngjes të premteje. Duhet të shkoja me herët në punë, kolegia më përmblodhi me pak fjalë ngjarjen e momentit "një vajzë e vrarë nga dashuria" dhe doli nga zyra pasi nxitonte për diku.
U preka shumë pa e ditur ende se ajo vajzë ishe ti, derisa më pas doli mosha, origjina, emri e mbiemri. Nuk e besoja që kjo kishte ndodhur. Kisha shkruar për shumë raste të ngjashme në portal por ky ishte më i vështiri, gjaku s'mund të bëhej ujë…
Minutat kalonin, informacionet "zienin" nëpër televizione e portale, detaje të reja po zbuloheshin. Në lajmet e para, i pikëllove të gjithë me ikjen tënde Xhuljetë, oh se din se sa madje.. Aq sa nëse ai s’do kishte vrarë veten, të linin përshtypjen se do kapnin armën e do merrnin hakun tënd!
Më pas në rrjet filloi të qarkullonte fotoja jote plot jetë për të treguar se ti tashmë je e pajetë…doli edhe fotoja dhe e kaluara e tij. Ai kishte qenë i martuar, prind i një fëmijë por që ishte ndarë nga gruaja (e disatë) prej "dashurisë së madhe" që kishte patur për ty.
Ahhh Xhuljetë e dashur ç'gabim i pafalshëm ky i joti… Këtu i preke në tel të gjithë shqiptarët pa çka se të vërtetën e dije vetëm ti. Mund të përballonin çdo gjë por jo atë që "kishe provokuar", kështu që ato plumbat i kishe kërkuar vetë.
Po po, madje edhe policia të kishte dalë borxhit kur ke shkuar për të kërkuar ndihmë. Denoncimin ta mbajtën por gjë nuk zgjidhën se ai iu kishte premtuar se s'do të të bezdiste më.
Më mirë mos më kërko të të tregoj më shumë Xhuljetë, të lutem.. se është e turpshme dhe e dhimbshme.
Teksa shpirti i më të shtrenjtëve të tu digjej e përvëlohej nga ç'kishte ndodhur kishte të tillë njerëz që i bënin përgjegjës ata për mënyrën se si të rritën, pa ditur sakrificat e tyre. Kishte të tillë njerëz që u gëzuan se me demek femrat si ti, ashtu duhet të përfundonin. Me këta të fundit u përballa sa herë i dëgjoja apo lexoja pseudoanalizat që nuk ua kërkonte askush!
Ngjarja jote Xhuljetë dha material plot për televizionet tona. Pothuajse çdo natë zonja të krekosura e zotërinj të kollarisur zbulonin detaje si të kishin zbuluar ndonjë qyp me ar e florinj, pa menduar shumë për dhimbjen që kishte familja jote.
Më pas… më pas asgjë e dashur, jeta vazhdoi njësoj për ata që s'të njihnin por të gjykonin. Emri jot iu shtua listës së zezë të vajzave fatkeqe të këtij vendi. Ndërsa plaga pikonte gjak për nënën, babain e motrën tënde të vogël…
Në nëntor kishe ditëlindjen e 19-të, se di si festove atje lart, se di as se si do festosh 20-vjetorin këtë vit se më të afërtit i ke në tokë e vetë je në qiell….
Ditët kaluan, ndoshta për dikë shumë shpejt e për dikë tjetër më ngadalë por koha mbeti aty për familjen. Mbeti te mëngjesi i atij 8 qershori e për ta nuk doli as dielli i verës, se sytë e tyre kishin dimër prej ikjes tënde në moshën më të bukur, ikjes tënde të shpejtë e të papritur.
Pendesa që s'të larguan tej kufijve e të mund të ishe gjallë, po i tret edhe sot e kësaj dite. Për ta nuk ishte një vit jetë ky që kaluan, por një vit torturë që duhet të merrnin frymë pa forcë, pa motiv, pa ty…
Sot, plot një vit pa të dëgjuar zërin, plot një vit lot e dhimbje që nuk shuhet por vetëm shtohet….