Me Kodin Zgjedhor të ri, kryetarët e partive politike mund të konkuronin deri në 4 qarqe.

Ndryshe nga kryetari i opozitës, Lulzim Basha, që vendosi të konkuronte vetëm në Tiranë, kryeministri dhe kryetari i PS Edi Rama u përfshi në listën e dy qarqeve bregdetare, Vlorës dhe Durrësit. Në të dy këto qarqe u rendit në vend të 8-të dhe në të dyja arriti të dalë deputet.

Por tani shtrohet pyetja cilin nga qarqet do të zgjedhë kryeministri?

I pyetur pak javë më parë se kë do të zgjidhte mes Durrësit dhe Vlorës, ai u përgjigj:

“Sa i përket Durrësit dhe Vlorës unë kam bindjen se objektivi bazë do të realizohet, dilema e shumëkujt është ku do rrish në Vlorë apo në Durrës. Unë do të rri atje ku më duan më shumë. Njerëzit e nënës janë në Vlorë, të babës në Durrës, do jetë garë mes dy palëve, unë do rri aty ku më duan më shumë. Në Durrës kam një pjesë të rrënjëve, por është dhe një nga asetet më të mëdha që ka ky vend dhe ka ardhur koha për të bërë ndryshim”, tha Rama, më 9 mars.

Në garën mes dy qarqeve, Durrësi e ka fituar tashmë garën, megjithëse mbeten ende kuti të panumëruara.

Në Durrës, kryeministri ka marrë deri më tani 12790 vota, ndërsa në Vlorë 11412 vota.

Mes njerëzve të nënës që janë në Vlorë dhe të babës në Durrës, Rama duket se e ka të lehtë të zgjedhë, pasi votuesit e Durrësit, Shijakut dhe Krujës e kanë votuar në masë të madhe, duke tejkaluar edhe numrin e marrë në Vlorë, ku Rama ka qenë deputet edhe më parë.

Nëse do t’i qëndrojë deri në fund deklaratës së bërë publikisht, Rama do të zgjedhë padyshim Durrësin, për ta përfaqësuar në Kuvendin e ardhshëm.

Fakti që për mandatin e tretë, kryeministri ka premtuar disa investime të rëndësishme në Durrës si porti turistik, porti i mallrave, hekurudha Durrës – Rinas – Tiranë, parkun fotovoltaik në Spitallë, rivitalizimin e amfiteatrit etj duket se do ta anojnë peshoren nga mandati i Durrësit.

M.B.