Nga BUJAR QESJA
Legjendat po ikin një e nga një. Pas Mirban Kadiut, Koço Afezollit, Burhan Trumës, Agron Kollakut, Fatmir Muratit, Rexhep Gojanës që brenda një viti na u tretën nga sytë tanë, një emër i njohur i notit durrsak na çon në zi.
Është Kastriot Karamuça, dominues i garave të shkurtëra të notimit.
I thërritnim shkurt Kaso. Kishte një bukuri të rrallë trupore. Në pamje ngjasonte me këngëtarin e njohur italian Domeniko Modunjo. Dhe sa herë e takoja rrugëve të Durrësit, i thoja me shaka:
-Ç’kemi Modunjo ynë!
Qeshnim të dy me të madhe. Kastriot Karamuça ishte mbreti i garimit në 100 metra stil i lirë. Me krah të fuqishëm, me një trup që ngjasonte me një turbinë, notimi i tij ishte agresiv dhe i destinuar ta nxirrte faqebardhë.
Kur garonin në kohën kur, noti kishte një interesim të jashtëzakonshëm dhe kjo jo vetëm në Durrës, ishin fitues pa dyshim në 100 metra Kastriot Karamuço dhe Niko Kurani, në 100 dhe 200 metra batërflaj Shyqyri Gjepali, 800 dhe 1500 metra Hysen Haxhia, 100 dhe 200 shpinë Niko Pema e të tjerë notarë durrsakë, që në vitet 60-të kishin vendosur firmën dhe vulën e tyre në cilësinë e notit shqiptar.
Kam sjellë në vëmëndje të lexuesit tre foto. Në njërën “Modunjo” ynë Kaso ka mbushur gjoksin me medalje, në tjetrën është me një pjesë të elitës së notit të Lokomotivës”, teksa pritet të garojnë në kalatat e portit dhe foto e tretë është ekipi kampion i “Lokomotivës” në vaterpolo në vitin 1962, ku pjestarë ishte edhe Kastriot Karamuça.
Durrsakët në historinë e tyre të notimit kanë patur shumë mjeshtra, që notonin plot bukuri dhe cilësi, por Kaso manifestonte një performancë të jashtëzakonshme. Deti ku përplaste krahët e fuqishëm si shqiponjë mali Kastriot Karamuça, krijonte pa frikë 9 ballë sa që edhe anijet e ankoruara pranë korsive të notimit lëkundeshin. Një trup i bukur, me muskuj të fuqishëm, që ishin një dekorim më vete i fizikut të tij, krijonte gjigandin mbi sipërfaqen e ujit.
Kastriot Karamuça, mekanik në Kantjerin Detar, ecte i qetë rrugëve të Durrësit dhe të gjithë kthenin kokën, për të parë burrin simpatik, që mbi buzë i jepnin hijeshi mustaqet që ia qendisnin fytyrën. Me një të folme durrsakshe, por shumë i ëmbël në bisedë, i qetë dhe me humor fin, janë disa nga cilësitë e Kasos sonë, që tani do ta quajmë i paharruari ynë i madh.
Na thau sytë kur emigroi në Itali, ashtu sikundër bënë mijra shqiptarë. Vendbanimi i tij i ri ishte qyteti i Barit, pika më e afërt e tokës italiane me Durrësin. Dhe mua më dukej, se e shikonim Kason me sytë e mëndjes dhe kujtonim bisedat me të, kur dilnim në ato xhirot tona ëndërruese nga Vollga jonë e njohur.
Ishte sëmurë. Madje vuajti ca. Informacionet nga Bari ishin jo të mira dhe e kemi ndjekur në heshtje sëmundjen e tij. Dhe ja që vjen mëngjesi i 8 dhjetorit 2020, ora 03.30 në spitalin Merano të Barit, notari i njohur durrsak Kastriot Karamuça ndal frymëmarrjen e fundit. Retë e dhimbjes shkarkojnë mbi ne, duke na krijuar stuhitë e trishtimit.
Kastriot Karamuça mjeshtri i famshëm i ujit durrsak, notari historik i tij, ai që na i ngriti kryet dhe na krenoi për vite e vite të tëra, ndahet përfundimisht nga ne, duke na lënë kujtimet të çmuara të rinisë së tij. Fama dhe garimet e tij mbeten në përmasat e legjendës.
Lamtumirë Kastriot Karamuça, mjeshtri i përjeshtëm i ujit!