Teuta e Edi Martinit nuk ka mundur të shkojë më shumë se barazimi 1-1 në shtëpi në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Skënderbeut.
Edhe pse durrsakët ishin favoritë në letër, për shkak edhe afrimeve cilësore në merkato, hasën shumë vështirësi, në këtë takim, përballë një Skënderbeu dinjitoz. Pavarësisht se me lojtarë të rinj në përbërje, korçarët bindën në fushë, madje kishin shansin e artë për të dalë nga fusha me 3 pikë. Hebaj dhe kapiteni Meksi ishin autoret e golave në këtë përballje.
FT: TEUTA-SKËNDERBEU 1-1
Hebaj 10′ / Meksi 34′
Pas përfundimit të ndeshjeve të ndalesës së parë të kampionatit shqiptar ditën e sotme, janë zbardhur në faqen e FSHF-së edhe ndeshjet e ndalesës së dytë të Kategorisë Superiore.
Të gjitha takimet do të luhen ditën e diel dhe dy ndeshjet kryesore janë Tirana-Teuta dhe Kukësi-Partizani. Kampionët në fuqi të vendit dhe fituesit e Kupës dhe Superkupës së Shqipërisë përballen direkt mes tyre në orën 13:45. Tirana vjen pas fitores së pastër ndaj Kukësit 2-0, kurse Teuta kërkon 3 pikët e para në këtë sezon pasi sot u ndal nga Skënderbeu 1-1.
Një takim me interes është dhe ai mes Kukësit e Partizanit që luhet në orën 13:45. Tekniku i verilindorëve Skënder Gega përballet për herë të parë si kundërshtar në këtë sezon me të kuqtë. Të dyja ekipet vijnë pas humbjeve me Tiranën dhe Kastriotin.
Po në orën 13:45 do të zhvillohen edhe sfidat Laçi-Kastrioti dhe Apolonia-Bylisi, ndërsa takimi Skënderbeu-Vllaznia është programuar për t’u zhvilluar në orën 16:45.





