Një e-mail i brendshëm i Pentagon-it ka nxjerrë në pah disa plane, që Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin për të ndëshkuar aleatët e NATO-s që kanë dështuar të mbështesin operacionet e SHBA-së në luftën ndaj Iranit.
Një nga opsionet e diskutuara është pezullimi i Spanjës nga pozitat kyçe dhe prestigjioze brenda aleancës, si dhe rishikimi i qëndrimit të SHBA-së ndaj pretendimeve të Britanisë për ishujt Falkland, ka njoftuar një zyrtar i Amerikës për Reuters.
Ky e-mail ka shprehur shqetësimin e administratës Trump mbi refuzimin e disa aleatëve të NATO-s për të mundësuar qasje në bazat ushtarake, si dhe të drejtat për kalimin e hapësirës ajrore (ABO), që konsiderohen si një nga elementet thelbësore të mbështetjes për operacionet ushtarake. Zyrtari i Pentagon-it theksoi se “ABO është një kërkesë minimale për NATO-n”, duke sugjeruar se disa shtete aleate nuk kanë përmbushur këtë kërkesë të domosdoshme për operacionet në Luftën e Iranit.
Përveç kësaj, email-i përmend mundësinë e pezullimit të disa vendeve që janë konsideruar si të “vështira” ose që kanë refuzuar të ofrojnë mbështetje të rëndësishme. Ky shqetësim është nxitur nga reagimet negative që ka marrë administrata e Trump në lidhje me mospjesëmarrjen e disa shteteve të NATO-s në operacionet e rëndësishme ushtarake, siç është siguria e ngushticës së Hormuzit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar ashpër aleatët e NATO-s që nuk kanë dërguar flota për të garantuar hapjen e ngushticës dhe për të mbështetur misionet ushtarake amerikane. Ai ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e pezullimit apo përjashtimit nga NATO të disa shteteve, nëse nuk përmbushin angazhimet e tyre dhe nuk kontribuojnë në mbështetje të operacioneve amerikane.
Për këtë situatë, Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka reaguar, duke thënë se Spanja nuk vepron sipas e-maileve, por sipas dokumenteve dhe pozicioneve zyrtare. Ai theksoi se Spanja, si anëtare e NATO-s, ka qenë gjithmonë një aleat i besueshëm dhe ka mbështetur operacionet ndërkombëtare sipas rregullave të NATO-s dhe qëndrimeve zyrtare të aleancës.





