Që nga fundi i muajit mars, qeveria Rama ua ka ndaluar pensionistëve daljen nga shtëpia, si masë kufizuese për t’i ruajtur nga prekja nga koronavirusi. Madje, pensionistët janë të përjashtuar nga pajisja me leje dalje. Furnizimet me ushqime për ta duhet t’i bëjnë fëmijët, të afërmit apo fqinjët, ndërkohë që për pensionistët e vetmuar do të mendojnë strukturat shtetërore.
Por realiteti në Durrës flet ndryshe. Fotot e mëposhtme janë shkrepur gjatë ditës së hënë nga fotografi Denis Simaku, në lagjen nr.12, aty ku ndodhet tregu i fruta-perimeve. Siç shihet qartë, të shumtë kanë qenë pensionistët që kanë dalë nga shtëpia duke thyer urdhrin e qeverisë për të bërë blerjet e nevojshme.
Jashtë kamerës, shumë prej tyre rrëfejnë se fëmijët i kanë jashtë dhe e kanë të domosdoshëm furnizimin me ushqime.
“Nëse do prisja nga shteti do më sillnin dy pako me makarona, vaj, sheqer e miell. Si mund të ushqehem vetëm me to. Po bukën, qumështin, vezët, perimet e frutat, për të mos folur për gjërat e tjera kush do m’i sjellë. Unë s’mund të ushqehem tre vakte me brumëra. Jam e detyruar të dal, sepse do jetoj”,– rrëfehet një pensioniste, e cila lëviz në markatë me doreza dhe maskë.
Procesi i dërgimit të pakove me ndihma në shtëpi nuk është aq i thjeshtë
Bashkia e Durrësit ka vënë në dispozicion tre numra telefoni, ku mund të telefonojnë qytetarët, por shumë qytetarë ankohen pranë redaksisë sonë se megjithëse kanë telefonuar, autoritetet nuk u kanë ardhur në ndihmë.
Valentina ka kontaktuar dy herë me redaksinë e DurrësLajm. Kur ishte vajzë, ajo ishte shumë e lidhur me një çift të moshuar, Hasan dhe Idajete Kulla, që jetojnë në lagjen nr.15. Pasi u martua dhe shkoi të banonte në një lagje tjetër, ajo i mbajti lidhjet me të moshuarit dhe u interesua që në fillim për ta. Për shkak të orarit të kufizuar të lëvizjes dhe faktit se është në punë së bashku me bashkëshortin, Valentina e kishte të pamundur të shkonte t’i takonte. Megjithëse tentoi disa herë tek numrat e vënë në dispozicion nga bashkia, nuk mundi t’u vinte dot në ndihmë. Për këtë shkak ju drejtua medias. Pas kontaktit tonë me prefektin Roland Nasto, familja Kulla mori menjëherë pakon me ndihma, në datë 31 mars. Ditën e diel të javës së kaluar, Valentina na kontaktoi sërish. Këtë herë, familjes Kulla i erdhi në ndihmë shoqata “Taulantët”, që prej disa ditësh po shpërndan pako me ndihma tek shtresat në nevojë. Duke përfituar nga zgjatja e orarit të lëvizjes, Valentina shkoi t’i takonte të hënën të moshuarit dhe u çoi fruta e perime, të domosdoshme për shëndetin e moshës së tretë.
Altin Xhafa është një i ri nga Durrësi, të cilin tërmeti i 26 nëntorit e la pa shtëpi. Jeton tani në një banesë me qira, së bashku me të dy prindërit invalidë, nusen shtatzënë dhe fëmijën 2-vjeçar. Ka kontaktuar shpeshherë me portalin “Shqipëria që duam”, por deri tani askush nuk i ka kthyer përgjigje. Pak ditë më parë ka komentuar edhe në faqen zyrtare në rrjete sociale të kryebashkiakut në detyrë, Zhyljen Varfaj, por të paktën deri tani nuk e ka kontaktuar askush. 5 persona jetojnë vetëm me pagesën e invaliditetit që marrin 2 prindërit invalidë, ndërsa bonusi i qirasë që marrin nga bashkia shkon për të paguar qiradhënësin.
“Deri tani kam marrë nga shteti një pako me ndihma ushqimore; 2 kg miell, 2 kg sheqer, 2 litra vaj dhe 2 pako makarona. Si mund ta shtyjmë muajin vetëm me këto. Kryeministri Rama ka deklaruar se do t’i ndihmojë invalidët, por prindërit e mi asnjë ndihmë s’kanë parë. Gjithë paratë që merr nëna ime shkojnë për blerjen e ilaçeve të saj”,- thotë Altini, që nuk përfiton as pagesën e papunësisë, pasi punën ku paguhej në të zezë e ka humbur pak muaj më parë.
Ndihmat e shpërndara për shtresat në nevojë
Prefekti Roland Nasto, në një komunikim për DurrësLajm, konfirmon se deri tani në qytetin bregdetar janë shpërndarë 2700 pako me ushqime, ndërkohë që ditën e sotme pritet të mbërrijnë nga drejtoria e Rezervave të Shtetit 400 pako ushqimore, të shoqëruara me detergjentë. Nga ana tjetër, Posta Shqiptare vazhdon dërgimin në shtëpi të pensioneve dhe shpërndarjen e ndihmës ekonomike për ata që e kanë të pamundur lëvizjen.
Në këto ditë të vështira, sidomos për shtresat në nevojë, bizneset durrsake janë solidarizuar për t’u ardhur në ndihmë atyre që janë më të pamundur.
Shpërndarja e 300 bukëve në ditë nga një grup biznesmenësh durrsakë, nismë e Adrian Reçit, ka hyrë tashmë në javën e tretë. Çdo ditë, rreth 300 familje të qytetit bregdetar furnizohen me produktin më të konsumuar nga shqiptarët.
Ndërsa shoqata “Taulantët” ka nisur javën e kaluar shpërndarjen e pakove ushqimore në lagje të ndryshme të Durrësit. Nga ana tjetër, shoqata humanitare si “Fundjavë ndryshe” apo komuniteti musliman vazhdojnë t’u vijnë në ndihmë të varfërve dhe familjevve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
M.B.





