Pavarësisht se mundën ta identifikonin fare pak kohë pas ngjarjes, autoritetet policore në Shkodër nuk kanë arritur ende të venë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së Petrit Vuksanit.
Aktualisht kërkimet për Lekë Vuksanin vijojnë, megjithatë ende nuk ka të dhëna për vendndodhjen e tij. Po ashtu, nuk përjashtohet as mundësia që ai të vetëdorëzohet.
Mesditën e së martës, Lekë Vuksani qëlloi për vdekje në shtëpinë e tij 51-vjeçarin Petrit Vuksani. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Tom Kola” të Shkodrës. Shkak u bë pikërisht fakti se viktima i kërkoi lekë Vuksanit që të lironte shtëpinë që i kishte lënë me qira gjatë kohës që nuk ndodhej në Shqipëri.
Lekë Vuksani nuk ka rënë dakord duke thënë se kishte një kontratë dhe nuk mund ta nxirrte nga shtëpia. Konfliktet kishin rreth 1 muaj që vijonin. Ngjarja duket të ketë qenë e paramenduar, pasi Lekë Vuksani ka shkuar dhe ka hapur zjarr ndaj 51-vjeçarit në banesë.
Raportohet po ashtu se autori i dyshuar nuk njihej si person problematik dhe rezulton pa precedentë penalë. Sa i përket viktimës, mësohet se fqinjët e njihnin atë shumë pak, pasi pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar jashtë vendit, në Angli, por edhe në vende të tjera të Europës.





