Nga Mentor Kikia

Ndërsa përpiqeshim të zgjidhnim krizën e madhe në PD, bashkë me një koleg…Unë arsyetova: Përse PD e Berishës sulmon me gurë dhe hunj selinë e PD-së? A e ka shumicën, le të marrë ca zyra diku tjetër, të punojë dhe të fitojë zgjedhjet. Atëherë edhe këta që janë me Bashën do të shkojnë atje. Nuk ka rëndësi ku e ka selinë, rëndësi ka sa mbështetës ke dhe çfarë alternativash ofron.

Kolegu im arsyetoi: Po edhe PD e Bashës nuk ka pse mbyllet me dyer hekuri dhe mbush korridoret me bombola gazi për tu mbrojtur. Edhe ata e kanë shumicën dhe mund ta vijojnë punën në një tjetër mjedis. Nuk ka arsye pse të bien dëshmorë për karrigen e dhe zyrën.

Të dy i dhamë karar idese, se partia nuk është as zyra as vula, por mbështetja në popull dhe programi politik.

Por, doli, se të dy ia kishim futur kot. Lufta për selinë nuk qenka lufta për partinë, e as për demokracinë, por për truallin. Aty paska një projekt për të bërë ca pallate të mëdha, që padyshim do të vlejnë qindra miliona Euro(një dreq e di pse kanë kaq shumë vlerë ndërtimet në një vendi si ky, me pagë mesatare 300 Euro, por nejse).

PD nuk është pronare e asaj ndërtese, por po të mos dojë ajo, projekti nuk realizohet, ose vështirësohet.

P.S: Ndërsa në Tiranë ndodhin gjëra të tilla të mëdha, në Sarandë, dy grupet e PD-së e festuan të ndarë ditën e themelit të PD-së në këtë qytet. Selia e tyre nuk vlen kaq shumë sa kjo e Tiranës, por gjithsesi edhe ata janë ndarë. Ca ne zyre e ca ne rruge.